Alfons Coli pergjegjes salle ne Villa Sparina, Itali

Një histori e thjeshtë: Alfonsi, nga Kallmeti i Lezhës në kantinën ekselente në Piemonte të Italisë

8 Qershor 2023, 20:54| Përditesimi: 8 Qershor 2023, 21:18

  • Share

Në fillim të bën përshtypje mirësjellja, pastaj buzëqeshja dhe thjeshtësia, më pas kompetenca në prezantimin e pjatave dhe verërave. Shpejt e kupton se kush i ka të gjitha këto është një shqiptar. Alfons Coli, 38 vjeç nga Kallmeti i Lezhës që e takon rastësish mes kodrave në Piemonte të Italisë. Në një mrekulli që quhet Villa Sparina, në një tavolinë ndërkombëtare.

Fillimisht ja thashë mikes time në krah, Dinës, indoneziane: “Mendoj se përgjegjësi i sallës është shqiptar”. “Thua?”, më përgjigjet shpejt. “E pyesim!”. Kur Alfonsi përgjigjet “Jam nga Shqipëria” dhe shpjegon çdo gjë perfekt në italish dhe në anglisht, të gjithë e bëjnë lidhjen me faktin se shqiptarët tashmë janë një ekselencë në kudo. Tavolina është e madhe dhe përreth ka miq nga SHBA, Gjermania, Indonezia, Mozambiku, Spanja, Italia sigurisht. Kushdo mund të tregojë për miqësi me shqiptarë për të cilët kanë krijuar shumë konsideratë. A nuk ka ndryshuar kahu i erës për ne? A nuk po bëjnë më të mirën shumë nga atdhetarët tanë?

Alfons Coli jeton prej 25 vitesh në Itali dhe 13 vite ka bërë karrierë si përgjegjës salle në një nga kantinat më të bukura që ekzistojnë në Govi, Piemonte. Dhe në fakt eksperienca dhe mjeshtëria e tij vihet re dhe vlerësohet nga të gjithë të pranishmit. Nuk e dimë mirë nëse zemergjerësia për të bërë “bis” për pjata të caktuara ishte një veçanti e Villa Sparinës, apo një “zakon i imponuar” nga zemërgjerësia shqiptare.

Prindërit, vëllai dhe gjysma tjetër e familjes Coli jeton në Kallmet dhe kanë 4 hektarë tokë që e punojnë si dhe shumë produkte bujqësore dhe blegtorale që ua mbledh Mrizi i Zanave. Alfonsi është shumë krenar për këtë: “Mrizi është një mrekulli. Eshtë një gjë e nivelit të Italisë”, thotë.

Kur e pyes nëse do të kthehej e të bënte edhe ai diçka të ngjashme në Kallmet, duket që do t’i pëlqente, ashtu siç duket që Mrizi i Zanave ka vënë tashme një standart aq të lartë, saqë shumë maten mirë para se të mendojnë të realizojnë një gjë të ngjashme apo të afërt me të.

Për momentin, Alfons Coli, është mirë në kantinën e Villës Sparina dhe në restorantin që ka e njëjta kantinë, kushedi, ndoshta ndonjë ditë, ashtu si Fundim Gjepali në Gjepalajn e tij, si Altin Prenga me babain e vëllezërit në Fishtë, edhe ai me vëllain dhe familjen në Shqipëri dhe vreshtat me kallmetin e rrallë (për të cilin Altin Prenga flet aq shumë), ndonjë ditë mund të bëjnë edhe ata një mrekulli. Sigurisht, nga Piemonte, në Shqipëri.
 

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Zine: 09/06/2023 09:40

    Makinës kanë mësuar t'i japin shumica e Shqiptarve por të prodhojnë makina është e pamundur në Shqipëri. Edhe ky djali njëlloj si Rama, dinë të punojnë por nuk dinë të prodhojnë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?