Alfons Dovana, autori i
“Rimarit” të pabotua

17 Dhjetor 2013, 06:44| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Alfons Dovana vdiq më 29 dhjetor të vitit 1967, vetëm dy ditë pasi bashkëshortja dhe dy fëmijët e vegjël i kishin uruar në barakën e ftohtë të familjes, 49-vjetorin e lindjes së tij.
Pinjoll i njërës prej familjeve të njohura tregtare në Durrës, Alfonsi i sëmurë me zemër, ishte i detyruar të flinte prej disa ditësh në kuzhinë, atje ku ishte pak më ngrohët se në pjesën tjetër të shtëpisë me llamarina. Historia e jetës së Alfonsit është e ngjashme me atë të mjaft familjeve të pasura në Durrës, e në të njëjtën kohë është po aq e veçantë, sa të duket se po ndjek fillin e një historie Krishtlindjesh.

I arsimuar si ekonomist në Milano ai punoi shumë pak kohë në drejtimin e  shoqërisë aksionere “Vëllazën Dovana”. Jeta e tij ndryshoi katërcipërisht kur pushtetin e morën komunistët, të cilët pasi konfiskuan të gjitha pronat, kalbën në burgje shumë prej tyre. Burrë i pashëm, elegant dhe sqimatar, administratori i firmës tregtare do t’i kishte humbur lidhjet me botën, nëse nuk do t’i kishte ardhur në ndihmë kultura e tij. Për vite me radhë ai hodhi në letër gjithçka kishte mësuar e po mësonte mbi letërsinë, historinë dhe mitologjinë, duke përmbushur profecinë e një poeteje të njohur italiane, e cila pas një bisede të gjatë në Milano i kishte thënë: -Çfarë bën në fakultetin e Ekonomisë një djalë si ti?!
 
Palltoja e burgut
Ndër pesë fëmijët e Vlash Dovanës dhe Mellani Terkës (një tjetër mbiemër i dëgjuar tregtarësh dhe politikanësh në Durrës), Alfonsi vinte i treti. Vëllai tjetër, më i madhi i fëmijëve, Nik Dovana, ka hyrë në historinë e sportit durrsak si futbollisti i mirënjohur dhe filantropi i skuadrës, aq sa stadiumi i vetëm i qytetit prej 20 vjetësh ka marrë emrin e tij.

Tre motrat, Ksantipi, Elsa dhe Belina patën secila fatin e vet, mjaft të afërt me pjesëtarët e tjerë të familjes.
Alfonsi nuk i kishte kaluar 30 vjetët, kur u arrestua dhe dënua me burgim të përjetshëm. Pas kësaj ai do të falej dhe do të dënohej disa herë. Në qelinë e ftohët do ti “këndojë” kështu palltos, të cilën e kishte veshur për herë të parë dhëndër:
 
Sikur të kishe gojë do flisje si jam dridhur,
Me pranga e zinxhirë dhe këmb’ e duar lidhur,
Atje n’ato bodrume, nën tokë, në qeli,
Me muaj kur qëndronim, së bashku në vetmi!
 
                   (O pallto e bekuar)
 
Ishte në burg, kur u bë baba për herë të parë në vitin 1951. Kur morri lajmin nga nëna e tij, mbi kapakun e paketës së cigareve e kishte shkruar dukshëm emrin “Vlash”. Pasardhësi i tij, do të mbante përjetë emrin e gjyshit të nderuar.
Kur del nga hapsana, Alfons Dovanën e dërgojnë të punojë në periferi të qytetit për hapjen dhe zhbllokimin e kanaleve. Më pas kërkojnë ta poshtërojnë me të njëjtën punë, brenda në Durrës. Poeti rebel nuk përulet, largohet nga puna dhe e kthen në një studio të vogël barakën, çatinë e së cilës familja e tij e ndante me katër familje të tjera.
 
Zarfa, fjalorë, sumbulla e poezi

“Babai dilte shumë pak nga shtëpia. Gjatë ditës prodhonte sumbulla dhe zarfa, të cilat më pas shiteshin në dyqanet e tregtarëve të vegjël”. Kështu e kujton në një intervistë për ATSH-në Alfons Dovanën, e bija, Nirvana, e cila në atë kohë ishte vetëm 10 vjeç. Argjila që mblidhte në kodrat e Currilave thahej deri sa bëhej pluhur dhe me të përgatitej balta që hidhej në tabelën me format e ndryshme. Gjithçka bëhej gati në sobën dhe tavolinën e vetme në kuzhinë-dëshmon Nirvana, e cila ka ruajtur edhe disa nga sumbullat e përgatitura prej të atit më shumë se një gjysmë shekulli më parë. Qoshet e tyre qëroheshin me thikë dhe pastaj me ndihmën e nënës ato lyheshin me një bojë të veçantë, që u jepte shkëlqim. Kur paratë nuk mjaftonin gatiste edhe zarfa me ngjyra.

Kjo ishte puna që bënte gjatë ditës zotëria, që kishte studiuar për ekonomi, ndërsa kur binte mbrëmja Alfons Dovana harrohej pas poezisë dhe punës shkencore.
Në dimër, njërën dorë e mbante mbi borsën me ujë të ngrohtë, e shkruante me tjetrën-kujton qetësisht Nirvana tablonë e shtëpisë-barakë ku banuan për shumë vjet.
Alfons Dovana kishte studiuar në Liceun francez të Korçës e më pas edhe në gjimnazin e Janinës. Ishte i dashuruar me letërsinë franceze, të cilën ua lexonte shpesh fëmijëve, ashtu siç u lexonte edhe poezitë, që shkruante netëve të gjata, në shtëpinë në periferi të qytetit.

Në vitin 2003, 36 vjet pasi i ati i kishte mbyllur sytë Nirvana Dovana i ka botuar poezitë e të atit në dy vëllime me titullin “Hallka të shkëputura”. Bashkë me lirikat që pasqyrojnë shpirtin e trazuar të poetit shquhen edhe përkthimet nga Alfred dë Vinji dhe Alfons dë Lamartin.
“Nuk kam pasur asnjë vështirësi për t’i mbledhur poezitë e babait-vijon rrëfimin e saj Nirvana. I kishte lënë të gjitha gati, në fletoret e tij me kapak blu, madje bashkë me kapitujt kishte caktuar edhe titullin e të dy vëllimeve”.
 
“Rimari i gjuhës shqipe”, vepra që pret të botohet
Në vitet 1950 Alfons Dovana ka përgatitur “Fjalorin e rimave” të gjuhës shqipe. Bashkë me zërat e parë të një “Fjalori mitologjik” është një punë titanike 10-vjeçare, ende e pabotuar.
Në korespondencën me ndërmarrjen shtetërore të botimeve “Naim Frashëri” kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dhimitër Shuteriqi, shkruante në atë kohë se “puna e bërë nga Alfons Dovana është një punë e durueshme dhe e zellshme, me kritere të shëndosha shkencore”.

Më pas ai shton se “ky Rimar, i pari në vendin tonë, do të ishte një ndihmë e madhe për studiuesit e gjuhës dhe të poezisë shqiptare, si brenda dhe jashtë shtetit”. Vetëm një muaj më parë, më 2 maj 1960 thuajse të njëjtin vlerësim jep për veprën edhe Dekani i fakultetit të histori-filologjisë, Androkli Kostallari.
“Të bie në sy larmia e rimave, gjë që dëshmon se autori ka hetuar dhe gjurmuar me durim një numër të madh fjalësh nga thesari leksikor i gjuhës sonë-nënvizon Kostallari, duke e rekomanduar veprën për botim, njëlloj siç bën edhe Shuteriqi në korrespondencën e tij zyrtare me shtëpinë botuese.
Opinionet e dy drejtuesve nuk kanë mjaftuar për ta kaluar veprën në rotativat e shtypshkronjës.

E vetmja përgjigje e vagullt për autorin ishte justifikimi se letra mungonte dhe se ishte vendosur të botoheshin vetëm librat me një numër të kufizuar faqesh.
“Rimari” i Alfons Dovanës, i vetmi i këtij lloji i përgatitur në vendin tonë vazhdon të ruhet nga familjarët e tij.
Dy vëllime me 75 kapituj, dhe përkatësisht me 416 dhe 619 fletë të shkruara në makinë shkrimi para 60 vjetëve përbëjnë edhe një studim të poetëve shqiptarë të vjetër e të rinj.
“Fjalori i rimave të gjuhës shqipe” meriton të botohet për të mos mbetur si një relike e familjes.

 
Shkrimi u publikua sot (17.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?