Aleatët e NATO-s përballen në Mesdheun lindor! CNN: Konflikti Greqi-Turqi mund të prekë të gjithë rajonin

26 Gusht 2020, 15:59| Përditesimi: 26 Gusht 2020, 16:03

  • Share

“Duket se në ujërat e Mesdheut lindor tensioni po acarohet pasi Greqia dhe Turqia, aleatë te NATO-s dhe njëkohësisht rivalë historikë, po i afrohen gjithnjë e më shumë një konfrontimi të mundshëm ushtarak që mund të përfundojë duke përfshirë rajonin”. Kështu shkruan prestigjozja amerikane CNN në një editorial të ditës së sotme.

Prej ditës së martë, anije luftarake nga të dy vendet po tregojnë forcën e tyre në rajonin e kontestuar mesdhetar lindor, pas nisjes së një ekspedite kërkimore për gaz dhe naftë që Turqia ka nisur në ujërat territorial greke, gjë e cila ka shtuar fërkimet dhe mosmarrëveshjet e vjetra.

Ndërsa dy vendet tani janë të angazhuar të flasin me gjurmën e forcës, Gjermania po kërkon të lehtësojë tensionet që kërcënojnë përhapjen në rajon.

"Dritaret e bisedës midis Greqisë dhe Turqisë tani duhet të hapen më tej dhe jo të qëndrojnë të mbyllura. Për më tepër, në vend të provokimeve të reja, tani kemi nevojë për të filluar diskutime te drejtpërdrejta," citon CNN të ketë thënë Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, i cili vizitoi dje Athinë dhe Ankara në përpjekje për t'i rikthyer të dy vendet në tryezën e bisedimeve.

Tensionet u ndezën edhe më shumë kur Ankaraja njoftoi se ishte duke zgjatur kohën e misionit të eksplorimit sizmik me anijen Oruc Reis e cila shoqërohet nga disa anije luftarake turke.
CNN thotë se sipas një studimi të vitit 2010 nga Sondazhi Gjeologjik i SHBA-së, në sektorin ku po kryhen kërkime ka afërsisht gjendje sasiore prej 1.7 miliardë fuçi naftë 122 trilion metra kub gaz.

Përpjekjet gjermane për të arritur një marrëveshje midis Greqisë dhe Turqisë dështuan fillimisht në fillim të korrikut. Turqia pezulloi përkohësisht kërkimet sizmike për gaz në zonën e diskutueshme ndërsa bisedimet ishin në vazhdim.

Por, sipas qeverisë turke, ato bisedime dështuan pasi Greqia nënshkroi një marrëveshje të pjesshme të demarkacionit detar me Egjiptin.Që nga ajo kohë Turqia ka kryer hetime në ujërat e kontestuara. 

"Anijet turke po vazhdojnë operacionet e tyre siç ishte planifikuar. Greqia bën aleancë me disa vende dhe duket se i mungon besueshmëria," tha Ministri turk i Energjisë Fatih Donmez të martën

Sipas CNN, Donmez duket se po i referohej mbështetjes që Greqia, e cila është anëtare e Bashkimit Europian, ka marrë nga Franca dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në një ‘shfaqje’ të tillë ‘solidariteti’ me Greqinë, Franca ka deklaruar se do të rrisë praninë e saj ushtarake në Mesdheun lindor në përgjigje të aksioneve të eksplorimit për hidrokarbure nga ana e Turqisë dhe do të dërgojë avionë luftarakë dhe anije luftarake në ishullin grek të Kretës.

Mosmarrëveshja territoriale midis Turqisë, Greqisë dhe ishullit të ndarë të Qipros gjithashtu ka ‘djegur’ qetësinë rajonale për vite me radhë. Por "burimet e gazit natyror në det të hapur tani duket se kanë ndryshuar gjithçka në Mesdheun Lindor” – ka thënë Michael Tanchum, kreu i Institutit Austriak për Studime Europiane dhe të Sigurisë. Kjo e ka shndërruar atë në "një fushë beteje," shtoi ai.

Zona e diskutueshme është e lidhur edhe me pretendimet territoriale të Qipros. Ishulli mbetet i ndarë mes Greqisë dhe Turqisë. Republika e Qipros ka dhënë liçenca për shfrytëzimin e rezervave të gazit gjigandëve  ndërkombëtare, si ‘ENI’ italian dhe ‘France Total’.

Sipas CNN, “Edhe Franca me partneren e saj të ngushtë, Emiratet e Bashkuara Arabe, po garojnë me Turqinë kush e kush të ketë ndikim në Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

Mesdheu Lindor është vendi ku Franca dhe Emiratet e Bashkuara Arabe mund të ushtrojnë presion mbi Turqinë në një rajon që kjo e fundit e konsideron jetike për interesat e saj kombëtare”, e cila shkruan gjithashtu se  "Rreziku i llogaritjeve të gabuara ose incidenteve të mëtejshme mund të çojë në një konfrontim të hapur dhe shumë të rrezikshëm për rajonin”.
 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?