Albin Kurti propozon zgjedhje më 14 qershor! LDK: Kemi dekret nga Presidenti për formimin e qeverisë së re

2 Maj 2020, 20:05| Përditesimi: 2 Maj 2020, 20:07

  • Share

Në Kosovë vijojnë tensionet politike në lidhje me mënyrën e formimit të qeverisë re. Gjykata Kushtetuese ende nuk është shprehur nëse Kuvendi do të krijojë qeverinë e re apo do të mbahen zgjedhje të reja duke pezulluar dhe dekretin e presidenti Thaçi në lidhje me mandatimin e Avdullah Hotin si kryeministër të ri. Por kjo nuk ka penguar kryeministrin në detyrë Albin Kurti që të propozojë zgjedhje të reja më 14 qershor, ndërsa nga ana tjetër partneri i tij qeverisës LDK shprehet se ka dekret nga presidenti Thaçi për formimin e qeverisë së re.

Kurti tha se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja dhe data 14 qershor është e përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kurti shprehet se nuk është vetë Lëvizja Vetëvendosje që kërkon zgjedhje por dhe PDK.

"Pas LVV, tash edhe PDK u shpreh për zgjedhje të reja në Kosovë. Dihet se qeverinë e re të synuar nga presidenti nuk e përkrah as kryeparlamentarja si dhe disa deputetë të tjerë. Ky është një argument shtesë që veçse në zgjedhje duhet të shkojmë. Ndërkohë, masat ndaj pandemisë COVID-19 po zbuten ca. Neve si LVV do të na konvenonte e diela e 14 qershorit 2020 për zgjedhje”, ka thënë Kurti në facebook-un e  Lëvizjes Vetëvendosje.

Por pas kësaj deklarate të Albin Kurtit, ka reaguar menjëherë LDK ku në një deklaratë për mediat shprehet se nuk e sheh të nevojshme mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe se kjo parti ka një dekret të presidentit për formimin e një qeverie të re.

 "Ne e kemi marrë dekretin, në bazë të rregullave kushtetuese dhe ligjore. Është e drejtë e të tjerëve që të ankohen dhe që të kërkojnë masë. Masa e përkohshme, pak a shumë, është një procedurë e zakonshme në raste të tilla. Ftojmë të gjitha subjektet politike që ta bëjnë të njëjtën dhe të respektojnë edhe vendimet tjera të Gjykatës Kushtetuese", tha LDK.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?