Alba Malltezi: Qëndisja e xhubletës dhe "qëndisja" e Shtetit tonë

6 Dhjetor 2022, 18:23| Përditesimi: 6 Dhjetor 2022, 18:28

  • Share

Për herë të parë një xhubletë të vjetër dhe autentike e pata veshur në një koncert, që si shkollë, patëm bërë në klasën e tetë. Shumë vite më parë. Gjatë kohës së diktaturës. Ishte shumë e rëndë, por më shpëtoi nga i ftohti i funddhjetorit, ndryshe nga shoqet e mia me dimiq, apo veshje të Dropullit që ankoheshin pak.

E ndërsa e admiroja, nën peshën e saj, për herë të parë, shihja nga afër të qëndismat plot ngjyra dhe perfekte në shtresa dhe nënshtresa, gati një festival shijesh dhe formash të kombinuara. Pastaj më vonë pashë se gjyshja ime nga Çamëria ruante si sytë e ballit të vetmen gjë që i kishte mbetur nga rrobat e marra nxitimthi kur i dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre: Një pëlhurë e kadifenjtë blu me nuanca të ndryshueshme e qendisur me ar dhe rruaza. Mendoja se ishte një mbulesë e denjë për mbretër e mbretëresha. Kaq të pasur ishin në Çamëri ata?

Sot, të moshuara mbi 90 vjeçare tregojnë për gazetarët se sa mund, durim, pasion, teknikë, fantazi, unikalitet, kohë kërkon bërja e një xhublete, po me siguri edhe qendisja e dimiqve, apo e kostumeve të shndritshme të Dropullit, apo të Korçës, Beratit. Dhe pyetja që më vjen sa herë shoh kostumet tona të shndritshme, të bukura, të rralla, të përsosura: Një popull që ka ditur të bëjë kaq bukur veshjet e tij nga një cep në tjetrin të vendit, nga një krahinë në tjetrën, nuk di të pikturojë, qëndisë, krijojë kaq bukur gjithë vendin e tij, të ngrejë po kaq të bukur dhe harmonik Shtetin që e përfaqëson?   

Por ndoshta ne shqiptarët kemi nisur ta bëjmë edhe këtë ose më saktë, shumë prej nesh e duan me gjithë shpirt: Pra “të qëndisim” bukur Shtetin tonë.

Në Samitin e liderëve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit perëndimor u pa një copëz e shndritshme nga “xhubleta” apo “dimiqtë” e shtetbërjes sonë. A do të jetë tërësia e veprimeve tona e magjishme? Ende nuk e dimë, por ama e shpresojmë, që kur të gjitha pjesëzat e kësaj qendisme gjigande, të vështirë, sakrifikuese të bëhen bashkë, të arrijnë atë rezultat. Të vetmin rezultat si të një xhublete shqiptare: Sa mirë do të ishte që herët a vonë të bënim të gjithë bashkë një Shqipëri, pasuri të njerëzimit: Të drejtë, të bukur, harmonike.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?