Fatos Baxhaku

Alba Malltezi: Mirësia dhe qytetaria që do të ndjeni në rrugën “Fatos Baxhaku” në Tiranë

7 Nëntor 2022, 13:00| Përditesimi: 7 Nëntor 2022, 13:07

  • Share

Nuk e di nëse do të vijnë më në gazetarinë shqiptare figura si Fatos Baxhaku. Eshtë e sigurtë se tani për tani nuk ka. Shpresojmë që mes shumë leksioneve që ai ka dhënë, në ndonjë të ri a të re, të ketë mbirë fara e mirë e tij. Ajo ishte fara e shëndetshme e qytetarisë, e njeriut fisnik, të edukuar, të ditur, të pazhurmtë,  e sidomos, e shqiptarit që e donte vendin dhe njerëzit e tij.

Në rrugën e re me emrin “Fatos Baxhaku”, vendosur tashmë në kryeqytet, imagjinoj banorët, qytetarët që jetojnë e lëvizin nëpër të. Diçka do të ndryshojë, si me magji. E para gjë që do t’u ndodhë, është mirësjellja. Pastaj do të fillojnë ta dëgjojnë tjetrin me vëmendje, kushdo qoftë ai: Nuk ka rëndësi nëse është kamarieri në barin e lagjes, apo ministri që mund ta ketë vilën apo apartamentin më luksoz. Marrëdhënia njerëzore do të jetë e njëjtë. Në atë rrugë të moshuarit e fëmijët do ta kuptojnë se janë më të respektuar dhe më të dashur nga të gjithë. Sepse ky ishte Fatos Baxhaku në redaksinë tonë. Ishte kryeredaktori që nuk bënte dallim.

E kujtoj mirë veten time ndërsa në “Gazetën Shqiptare” të 1994-ës, po bëja të parin shkrim-provë për të vazhduar më pas rrugëtimin tim në gazetarinë e shkruar shqiptare. Fatos Baxhaku do ta kontrollonte punën e studentes që atëherë isha; plot me ëndrra të shkruaja në atë gazetë aq moderne dhe të veçantë. Një dorë në shpatull, një buzëqeshje dhe: E ke shkruar shumë mirë!

Punuam bashkë deri në 1997 dhe kohët ishin vërtetë të vështira. Pasioni për gazetari të pavarur dhe pozicionimet e punonjësve të shërbimeve sekrete para redaksisë, ndjekjet e përndjekjet sidomos për drejtuesit e atyre kohëve, ishin të frikshme. Të frikshme kur i kujtojmë tani, pasi me Fatosin dhe grupin e vogël të gazetarëve në redaksi, asnjëherë nuk ndjehej frika, asnjëherë nuk ngurronte askush të punonte edhe deri në të gdhirë. Tirana ishte bosh atëherë. Tirana kishte tepër plagë që i mbante hapur me lëngim.

Hera e fundit që punuam bashkë, ndërsa në 2 të natës përpiqeshim të gjenim rrugët e lira dhe pa kontrolle për të dorëzuar gazetën në shtypshkronjë, ishte pikërisht viti 1997. E imagjinojnë dot gazetarët sot që kryeredaktori dhe ekipi i tij të qëndronin bashkë deri në 2 apo 3 të natës për të bërë të mundur që e vërteta, të nesërmen të ishte në treg?

Me emrin e Fatos Baxhakut në këtë rrugë në Tiranë, me emrin e Andrea Stefanit në një shkollë, kryeqyteti ynë i bukur ka nisur të plotësojë një puzzle të qytetarisë, që gjatë tranzicionit të gjatë, u mendua se po e harrojmë. Fatos Baxhaku është aty, në rrugën e tij të na e kujtojë përditë.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arditi: 08/11/2022 00:07

    Fatos Baxhaku, vec te tjerash, rridhte nga nje familje fisnike. I jati, i ndjeri Shaban Baxhaku, Profesori i Matematikes ne Shkencate Natyres, kujtohet nga breza te tere studentesh per zotnillekun dhe kompetencen shkencore. Njerez te rrale te shoqerise shqiptare!

    Përgjigju
  • Arben: 07/11/2022 14:20

    Fatos Baxhaku ishte me te vertete njeri qytetar. Me behet qejfi qe nje rruge do te mbaje emrin e tij.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?