Ina Zhupa

Alarmi i FMN për koncesionet në Shqipëri, reagon PD: Qeveria ka dhënë aq shumë kontrata PPP sa nuk i kontrollon dot

13 Dhjetor 2022, 15:32| Përditesimi: 13 Dhjetor 2022, 15:35

  • Share

Partia Demokratike ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar sa i takon kontratave të koncesioneve të firmosura nga qeveria shqiptare.

Deputetja Ina Zhupa tha se qeveria shqiptare ka dhënë aq shumë kontrata PPP të cilat janë të vështira për t’u kontrolluar. Zhupa tha se kontratat e PPP-ve të firmosura gjatë tërmetit ishin dhënë në mënyrë të seleksionuar gjatë fushatave elektorale.

“FMN e thote qartesisht se : Qeveria shqiptare ka dhënë aq shume kontrata PPP, të cilat nuk ka aftësi t’i kontrollojë. Vete Raporti i përvitshëm i koncesioneve pergatitur nga Ministria e Financave del se  “situata ka dalë nga kontrolli” dhe për shumicën e kontratave nuk kishte asnjë informacion.  Fondi Monetar Ndërkombëtar i bëri thirrje autoriteteve shqiptare të publikojnë kontratat e prokurimit publik që kanë të bëjnë me pandeminë dhe shpenzimet për rikuperimin e tërmetit, emrat e kompanive që kanë fituar kontratat dhe pronarët e tyre përfitues.  Fondet edhe kontratat e tërmetit janë denoncuar nga PD dhe në përdorimin e tyre selektiv për fushatën elektorale të 2021 dhe për kostot e fryra në krahasim me ndërtimet që bën vete BE”-tha Zhupa.

Ligjvënësja shtoi se alarmi i FMN duhej të dëgjohej nga qeveria shqiptare dhe se SPAK duhej të hetonte praktikat e ndjekura nga ekzekutivi për kontratat e koncesionarëve.

“Ekonomia shqiptare është në rrezik, me skemat PPP ku tashmë janë hapur e shtrirë në çdo fushë, duke mos lënë as trashëgiminë tonë kulturore pa prekur. Alarmi i FMN duhet dëgjuar nga qeveria shqiptare por mbi të gjitha thirrjet për kontroll të praktikave të ndjekura për kontratat duhen dëgjuar nga SPAK.  Shqiptarët po ikin dhe qeveria thotë se gjërat shkojnë mirë. Ashtu si ata, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar mendon se në Shqipëri, me këtë qeverisje, gjërat nuk janë aspak mirë”-përfundoi Zhupa.

Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratën e fundit e Bordit të Drejtorëve i bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të publikojnë kontratat e prokurimit publik që kanë të bëjnë me pandeminë dhe shpenzimet për rikuperimin e tërmetit, emrat e kompanive që kanë fituar kontratat dhe pronarët e tyre përfitues.

Fondi gjithashtu vuri në dukje se qeveria duhet të minimizojë ndryshimin e buxhetit me akt normativ në mënyrë që të ruajë besueshmërinë fiskale. Që kur ndodhi ngjarja e tërmetit dhe më pas ajo e pandemisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë shqiptare në të gjitha misionet që të bëjë transparentë përdorimin e fondeve për këto dy ngjarje.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?