Akuzat për sulmin kimik në Angli/ Ambasada ruse në Tiranë: Punonjësit e MPJ shqiptare, të paaftë

22 Mars 2018, 14:48| Përditesimi: 22 Mars 2018, 17:07

  • Share

Ambasada e Rusisë në Tiranë ka reaguar ndaj deklaratës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e publikuar më 20 mars, ku Tirana zyrtare, përmes zëdhënëses së MEPJ-së Edlira Gjoni akuzonte Rusinë për një sulm me lëndë kimike të kryer në Angli.

Ambasada ruse e ka cilësuar si një mungesë aftësie nga ana e punonjësve të MEPJ-së shqiptare një deklaratë të tillë, pasi sipas vendit të Vladimir Putinit në mungesë të provave ajo është një përpjekje e qëllimshme për të manipuluar opinionin publik.

Kujtojmë se rasti në fjalë ka të bëjë me helmimin e një ish-agjenti të dyfishtë rus, Sergej Skripal dhe të vajzës së tij Julia, në qytetin e Salisbury të Anglisë. 
Pala shqiptare në titullin e deklaratës zyrtare në fjalë pretendonte se kishim të bënim me një sulm kimik të kryer nga Rusia ndaj Britanisë së Madhe, edhe pse në brendësi të tekstit një pretendim i tillë nuk saktësohej me qartësi, por mjaftohej me evidentimin se sulmi i kryer është bërë me një lloj gazi ushtarak, i cili prodhohet në Rusi. 

Deklarata e MEPJ-së

Deklaratë e MEPJ mbi sulmin kimik të zhvilluar nga Rusia kundër Britanisë së Madhe

Në përgjigje të interesit publik, zëdhënësja e ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Edlira Prendi deklaron se, Shqipëria dënon ashpër sulmin me një agjent nervor ushtarak, i një lloji të zhvilluar nga Rusia, kundër Sergei dhe Yulia Skripal në Salisbury të Britanisë së Madhe më 4 mars 2018.  
Si shtet palë në Konventën mbi Armët Kimike, Shqipëria dënon çdo lloj sulmi kimik nga aktorë shtetërorë ose jo, dhe i konsideron shkelje të së drejtës ndërkombëtare që minojnë rendin ndërkombëtar dhe venë në rrezik jetët e qytetarëve. 
Shqipëria shpreh solidaritet të plotë me Britaninë e Madhe dhe qytetarët e saj dhe përshëndet angazhimin e Britanisë së Madhe për të punuar ngushtë me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike në mbështetje të hetimit të sulmit  si dhe për identifikimin e përgjegjësve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë.

Reagimi i ambasadës ruse në Tiranë

Kemi lexuar deklaratën e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, datë 20 mars 2018, titulli i së cilës konstaton një “sulm kimik të zhvilluar nga Rusia kundër Britanisë së Madhe”.

Kemi respekt për specialistët e MEPJ-së dhe nuk kemi asnjë arsye për të vënë në dyshim përgjegjshmërinë e tyre në formulimin e deklaratave zyrtare të dikasterit që përfaqësojnë. Prandaj kemi arsye të besojmë që kolegët tanë shqiptarë duhet të kenë prova të implikimit të Rusisë në helmimin e Sergej Skripal-it dhe vajzës së tij Julia.

Siç dihet, Britania e Madhe, e cila ka ngritur disa akuza të rënda kundër Rusisë lidhur me incidentin në Salisbury, vazhdon të refuzojë me kokëfortësi të tregojë prova dhe të zbatojë procedurat e aprovuara ndërkombëtare, përfshirë edhe në kuadër të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. Kjo do të thotë me të gjitha gjasat që Londra nuk ka asnjë provë të përfshirjes ruse. Dhe në këtë situatë, kur i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe në veçanti Rusia kërkon me të drejtë një hetim sa më të shpejtë të tragjedisë, informacioni që zotëron pala shqiptare dhe në bazë të të cilit është përgatitur deklarata e lartpërmendur e MEPJ-së, është me rëndësi kritike për zbardhjen e situatës dhe identifikimin e autorëve të ngjarjes. I qëndrojmë mendimit se fshehja e këtij informacioni është e palejueshme dhe në kundërshtim me interesin e përbashkët të të gjitha shteteve të përgjegjshme.

E ritheksojmë: ne nuk mund të besojmë që pala shqiptare mund të ketë hedhur gjithë fajin për atentatin në Salisbury mbi Rusinë pa patur argumente të forta e të mjaftueshme. Në të kundërt, do të bëhej fjalë qoftë për mungesën e kompetencës nga ana e MEPJ-së, qoftë për një manipulim të qëllimshëm të opinionit publik. Pala ruse, më shumë se çdokush tjetër, është e interesuar për të zbuluar të vërtetën e helmimit të shtetases ruse dhe është e hapur për çdo komunikim me kolegët shqiptarë lidhur me këtë çështje.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ilyricum: 23/03/2018 04:59

    1. Mendoj qe Britania e Madhe nuk ben lojra kur akuzon, por bazohet mbi info te sherbimeve sekrete me TOP ne bote. 2. Eshte e vertete ama qe ruset po tregohen shume te shkathet se eshte e disata here qe ua bejne nen hunde britanikeve, duke u nxjerre ne pah dobesite e pafalshme ne parandalim. 3. Ministria jone e jashtme eshte shume dobet ne burimet njerezore. Studentet qe vijne nga jashte nuk I pranojne se kane frike se jane me te mire dhe I lene pa pune. Deklarata ishte politike dhe aspak diplomatike. 4. Ambasada Ruse ne Tirane me te vertete ka bere nje tekst super ironik dhe I bej komplimentat e mia mendjes se mprehte qe e ka shkruar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?