Ervis Martinaj dhe Jeton Lami

Akuzohet se shoqëroi Ervis Martinajn e ishte kontakti i fundit para zhdukjes, ish polici Jeton Lami mbetet në burg! Gjykata e Lartë i refuzon rekursin

7 Shkurt 2023, 12:46| Përditesimi: 7 Shkurt 2023, 12:51

  • Share

Jeton Lami, ish-efektivi i operacionales i arrestuar për ‘shpërdorim detyre’, pasi shoqëronte të shumëkërkuarin Ervis Martinaj ditën e zhdukjes së tij, do të mbetet në burg. Gazetarja e Report Tv Keti Banishu ka mësuar se kërkesa e tij për liri është refuzuar edhe nga Gjykata e Lartë e cila nuk ka pranuar rekursin e tij për ndryshim të masës së sigurisë.

Jeton Lami vijon të mbahet në qeli ndërsa gjatë kësaj kohe prokurorët e kanë vizituar disa herë me shpresën se ai do pranojë të flasë rreth asaj që di për Ervis Martinajn. Lami ka dhënë arsye kontradiktore para prokurorëve, duke shtyrë dëshminë e tij. Edhe në momentin kur Lami doli para gjykatës së Laçit për tu njohur me masën e sigurisë, ai nuk pranoi të flasë, megjithëse nga ana e gjykatës, ju dha mundësia për të komentuar akuzat.

Ndërkohë që Prokuroria e Kurbinit i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë me me kërkesën për lejimin për ta marrë në pyetje të ndaluarin, në lidhje me hetimet që organi i akuzës po bën pas kallëzimit të familjarëve të Ervis Martinajt se kanë humbur kontaktet me të. Ndërkohë që Lami ishte personi i fundit referuar të dhënave që kanë autoritetet hetimore, që është parë në shoqërinë e Martinajt.

Jeton ra në pranga më 24 gusht të vitit që shkoi me kërkesë të Prokurorisë së Laçit, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, ndërsa prokuroria ka shtyre edhe me 3 muaj hetimet për ish-oficerin e policisë Jeton Lami. Ky i fundit bëri kërkesë në Apel për t'u liruar nga burgu, por gjykata e refuzoi.  Teksa po hetonte për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, policia zbuloi se për t’u arratisur, Martinaj ishte ndihmuar nga agjent i forcave operacionale në Policinë e Shtetit, Jeton Lami, i cili u prangos më 24 gusht nga policia e Lezhës.

Më 5 dhe 7 gusht, Lami ka transportuar ndërmjet Durrësit dhe Tiranës biznesmenin Ervis Martinaj. Lami u kap nga kamerat e sigurisë së një hoteli në Durrës, ku ka qenë i shoqëruar me Ervis Martinajn. Për herë të parë hetuesit kanë mundur të zbulojnë se më 5 Gusht 2022 Lami e merr Martinajn në zonën e veriut në një automjet luksoz ‘Audi “A8” dhe e transporton atë drejt Durrësit në një hotel në praninë edhe të një vajze ende të paidentifikuar. Më 7 Gusht policia ka imazhin e fundit nga Ervis Martinaj në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës tek një hotel ndërsa më 10 Gusht xhaxhai i tij Faik Martinaj ka bërë denoncimin në polici për humbjen e kontakteve me nipin.

Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?