Familja e Giuseppe Tuccit, 13 Mars 2024

Itali/ Tensione në gjyqin e shqiptarit të akuzuar për vrasjen e zjarrfikësit! I ati i viktimës: Djali ynë nuk vdiq kot

13 Mars, 21:55| Përditesimi: 14 Mars, 00:57

  • Share

Ditën e sotme (13 mars 2024) është paraqitur para togave të zeza në Itali, Klajdi Mjeshtri, i riu shqiptar që akuzohet për vrasjen e zjarrfikësit 34-vjeçar italian, Giuseppe Tucci, më 12 Qershor të vitit 2023.

Në Rimini të Italisë, seanca gjyqësore nisi me debate të forta deri në përplasje fizike, kur babi i viktimës Claudio Tucci, hyri në sallë të gjyqit duke kërkuar që të shihte në sy 29-vjeçarin shqiptar.

Për të siguruar vazhdimësinë e seancës gjyqësore u nevojit ndërhyrja e policisë italiane.

“Jemi këtu dhe do jemi gjithmonë. Djali ynë nuk vdiq kot. Kemi besim të drejtësia”,- u shpreh baba i 34-vjeçarit të vrarë.

“Ishte një ditë shumë e vështirë. Kur u gjenda përballë vrasësit të tim biri, u nervozova. Ai as nuk më pa në fytyrë. Më pas e kuptova situatën dhe u qetësova”,- rrëfeu ai për mediat italiane.

Pas betejës mes mjekëve ligjor të të dyja palëve, gjatë ditë së sotme gjykata pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj shqiptarit, i cili në këtë mënyrë do të përfitojë ulje të dënimin me 1/3.

Gjyqtari i çështjes caktoi datën 20 Mars për të përcaktuar një mjek ligjor që do të analizojë rezultatet e autopsisë mbi trupin e zjarrfikësit.

Për mjekun ligjor të mbrojtjes, vdekja e 34-vjeçari erdhi si pasojë e një traume pas koke e shkaktuar si pasojë e rënies në tokë. Mbrojtja pretendon kështu që Tucci nuk vdiq nga grushtat e shqiptarit, por nga përplasja në tokë. Në të njëjtën kohë, po sipas mbrojtjes, Tucci nuk mundi të mbijetonte pasi terapitë spitalore nuk i dhanë efekt për shkak të alkoolit që kishte në sistem.

Në këtë mënyrë, avokati mbrojtës i 29-vjeçarit shqiptar kërkon që të bjerë akuza e vrasjes me dashje, e ngritur nga prokuroria.

Një motiv banal u bë shkak për përplasjen që i kushtoi jetën 34-vjeçarit Tucci. Mjeshtri, i cili punonte si roje në një diskotekë të Riminit, e dhunoi atë barbarisht jashtë ambienteve të lokalit me pretendimin se i kishte ngacmuar të dashurën. Zjarrfikësi vdiq pas disa ditësh në agoni.

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?