100 euro për një votë për LSI, GJKKO dënon me 1 vit burg kandidatin për deputet Etjon Joka! 1 vit edhe për Elis Babon që mori paratë dhe e filmoi momentin

16 Shtator 2022, 09:54| Përditesimi: 16 Shtator 2022, 11:38

  • Share

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 1 vit ish-kandidatin për deputet i LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Etjon Joka, si edhe personin që mori paratë dhe filmoi ngjarjen, Elis Babo. Ai u gjykua për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, pas videos së shfaqur në një emision investigativ duke i dhënë 100 euro një qytetari në këmbim të votës.

Me dhënien e dënimit, GJKKO pranoi kërkesën e SPAK-ut, që kishte kërkuar 1 vit burg për ish kandidatin e LSI-së më 29 korrik. Joka u provua se shpërndau para gjatë fushatës elektorale kundrejt votës, pasi qarkulloi videoja e filmuar nga Elis Babo i cili ka marrë paratë nga Joka në këmbim të votave. Babo ka deklaruar në seancat gjyqësore se të gjithën e bëri për të denoncuar korrupsionin në zgjedhje, edhe pse ishte në kushte të vështira ekonomike.

Ish-kandidati për deputet nën logon e LSI, përmes avokatit deklaroi disa javë më parë në seancën e pretencës së prokurorisë, se gjithçka është stisur nga kundërshtari politik Alqi Bllako. Në atë kohë, Bllako kandidonte për deputeti i Partisë Socialiste në zonë me Bllakon, aktualisht i arrestuar për dosjen e inveneratorëve.

I renditur i 22 në listat e LSI në Tiranë, kandidati Etjon Joka u shfaq në një video teksa i jepte 100 dollarë Elis Babos, që ishte angazhuar të mbledhë vota për LSI-në. Në videon e filmuar nga vetë Babo, Joka bisedon edhe me një qytetar që i thotë se ka bërë 100 vota, duke përfshirë edhe 12 që i ka bërë gruaja e tij. Ndonëse është kapur me zë dhe me figurë duke vjedhur vota, vetë Joka, pas publikimit të videos tha se gjithçka është e sajuar dhe e montuar. Etjon Joka është reklamuar nga LSI si një prej të rinjve më premtues. 

D.GJ/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?