Akuzohet për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit, shtyhet seanca gjyqësore në GJKKO për Ardian Çapjan

28 Dhjetor 2022, 12:28| Përditesimi: 28 Dhjetor 2022, 14:48

  • Share

Është shtyrë seanca gjyqësore për Ardian Çapjan dhe të pandehurit e tjerë në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Shkak për shtyrjen e seancës ka qenë mungesa e një prej avokatëve mbrojtës të një prej të pandehurve.

Seanca e radhës është përcaktuar për t’u mbajtur në orën 12:00 të datës 18 janar. Ndaj Çapjas dhe të arrestuarve të tjerë rëndon akuza për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në 2012-tën.

Në shtator të vitit 2021 GJKKO dërgoi për gjykim dosjen e Ardian Çapjas dhe 3 të pandehurve të tjerë të cilët akuzohen për vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij Nezir Beqiri në vitin 2012.

Ardian Çapja u arrestua mëngjesin e 29 marsit të vitit 2021, ndërsa vrasja në gusht të 2012, e Gentian dhe Nezir Beqirit, është një ndër dosjet penale më të rëndësishme që kanë në duar prokurorët e Elbasanit, e cila që prej muajit dhjetor 2020, u kthye nga gjykata e këtij qyteti, për plotësim hetimi. Ndërkohë Florenca Çapja është ende në kërkim pasi akuzohet si porositës i vrasjes së dy personave, babë e bir. 

Si ndodhi vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit? 

Ata u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si  autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve. Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri. Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”. Të arrestuar për këtë ngjarje janë i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, Olsi Leku, Etjen Cani, Klajdi Dokoli.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?