Bota

Akuzohet për spiunazh, Kina dënon një biznesmen kanadez me 11 vjet heqje lirie

11 Gusht 2021, 09:38| Përditesimi: 11 Gusht 2021, 09:40

  • Share

Një gjykatë kineze ka dënuar biznesmenin kanadez, Michael Spavor me 11 vjet heqje lirie për spiunazh.

Ky rast është parë si pjesë e mosmarrëveshjeve më të zgjeruara të Kinës me Kanadanë, për shkak të fatit të Meng Wanzhou, shefes financiare të kompanisë kineze, Huaëei, e cila aktualisht është duke luftuar ekstradimin nga Kanadaja në Shtetet e Bashkuara.

Spavor është arrestuar në dhjetor të vitit 2018, në periudhën e njëjtë kur kanadezi tjetër, Michael Kovrig, po mbahej në paraburgim për të njëjtën akuzë.

Kanadezët janë ndaluar disa ditë pasi Meng, vajza e themeluesit të Huaweit, Ren Zhengfei, është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vankuverit për akuzat amerikane të lidhura me moszbatim të sanksioneve amerikane ndaj Iranit. Vendimi për ekstradimin e saj pritet të merret shpejt.

Në procesin kundër Spavor, gjykata kineze ka deklaruar se përveç 11 viteve burg dhe sekustrimit të pasurisë së tij, ai do të dëbohet.

Ambasada e Kanadasë në Kinë ka thënë se është kuptuar që dëbimi do të ndodhë pas kryerjes së dënimit me burg.

“Ne dënojmë këtë vendim. Ekziston mundësia e apelit. Për këtë do të flasë Spavor me avokatët e tij” , ka thënë ambasadori i Kanadasë në Kinë, Dominic Barton, para gazetarëve jashtë gjykatës.

Ambasadori ka thënë se Spavor dhe Kovrig janë duke u mbajtur në mënyrë arbitrare.

.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?