U shpall fajtor për fshehje pasurie, Ish anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ardian Hajdari dënohet me 1 vit burg! Dënimi i konvertohet në 2 vite shërbim prove

24 Janar, 13:18| Përditesimi: 25 Janar, 00:46

  • Share

Ish-anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Ardjan Hajdari u shpall fajtor për fshehje e pasurisë pasi nuk ka bërë deklarime të sakta në lidhje me disa vite punë si avokat. Gjykata e Posaçme e dënoi sot  (24 janar 2024)  me 1 vit burg, por dënimi u pezullua dhe iu konvertua në 2 vite shërbim prove.

Ish-anëtari i shkallës së dytë të vetingut u vu nën akuzë nga SPAK në janar të vitit 2022, për “Fshehje të të ardhurave” si dhe “mosdeklarim apo fshehje të pasurisë”. Në muajin shkurt të vitit 2022 u pezullua nga detyra.

Hajdari u akuzua nga SPAK për fshehje të të ardhurave tatimore dhe mos deklarim pasurie në ILKDPI gjatë ushtrimit të detyrës së avokatit dhe u kallëzua penalisht në qershor 2020 nga ish-magjistratët Antoneta Sevdari, Elsion Sadiku dhe Ervin Metalla.

Në nëntor të vitit 2022, GJKKO pranoi kërkesën e Ardian Hajdarit për të pyetur 67 persona në cilësinë e dëshmitarëve, për të cilët Hajdari pretendonte se u kishte ofruar ndihmë juridike falas. Ndaj këtij pretendimi të Hajdarit, SPAK mbajti qëndrimin se ish-gjyqtari e ka bërë një gjë të tillë pasi ishte marrë i pandehur në 4 korrik 2022.

E denoncuan tre ish magjistratë të shkarkuar në qershor 2020

Ish -prokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari, ish-prokurori i Korçës Elsion Sadiku dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla, të cilët u shkarkuan nga detyra gjatë procesit të rivlerësimit kallëzuan në Strukturën e Posaçme Anntikorrupsion jo vetëm Luan Dacin por edhe Ardian Hajdarin për falsifikim dokumentesh me qëllim që të zgjidhej në Komisionet e Rivlerësimit.

Denoncuesit pretenduan se Hajdari kishte gënjyer dhe kishte deklaruar të dhëna të pavërteta në Kuvend kur kishte thënë se kishte ushtruar profesionin e avokatit për 17 vite, në një kohë kur ai nuk mund të punonte jurist në administratë dhe njëkohësisht të ushtronte profesionin e avokatit.

1706098813_ardjanhajdari.jpg

Foto: Ardian Hajdari duke dalë nga GJKKO pasi u dha dënimi, 25 janar 2024

Denoncuesit e kallëzuan dhe për “fshehjen e të ardhurave”, pasi ai ishte regjistruar për herë të parë në organet tatimore për të ushtruar profesionin e avokatit, në prill të 2007-ës.

Sipas denoncuesve, Hajdari nuk kishte deklaruar fare të ardhura gjatë vitit 2017, ndërkohë që gjatë intervistimit në Kuvend, në cilësinë e avokatit, kishte thënë se kishte përfaqësuar dhe mbrojtur një numër shumë të lartë çështjesh gjyqësore.

Dy anëtarë të KPA të dënuar

Ardian Hajdari bëhet anëtari i dytë i KPA-së që dënohet, pas Luan Dacit, i cili në dhjetor të vitit 2021 u shkarkua nga Kolegji, pas një vendimi të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, që e dënoi atë për falsifikim të dokumentacionit.

Kolegji i Posaçëm të Apelimit është trupa, e cila jep vendimet përfundimtare për magjistratët, që i nënshtrohen procesit të rivlerësimit dhe për nga hierarkia e institucioneve të Drejtësisë është në nivelin e Gjykatës Kushtetuese.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?