Aktivitetet e kulturës në fundjavë: Një komedi nga Dario Fo dhe 'Gjyshja perfekte' te Eksperimentali! 25 fotografi unike te 'Gratë horizont' e Koçibellit

21 Tetor 2023, 10:59| Përditesimi: 21 Tetor 2023, 15:12

  • Share

Si mund ta shndërrojë teknologjia dhe nipërit një të moshuar 137-vjeçare në "Gjyshen perfekte". Vogëlushët mund ta zbulojnë sot e nesër në orën 10.30 në Teatrin Eksperimental në komedinë  me tekst dhe regji të Endri Çelës, ku artisti udhëton me fantazi në të ardhmen.

Sot e nesër në orën 10.30 dhe 11.30, rikthehet në skenën e Teatrit të Kukullave në sallën "Tonin Harapi" të Liceut Artistik, shfaqja "Borëbardha dhe shtatë xhuxhat" e përshtatur nga Endri Çela dhe me regji të Aldjon Matarangasit.

Komedia  "Shitet një i vdekur" e Dario Fo, vihet sot e nesër në orën 19.00 në skenën e Teatrit Eksperimental "Kujtim Spahivogli" me regji të Arbër Jakllarit.

Komedia  "Nuk duhet ta thoshe" me autore Salome Lelouch, vijon të shfaqet sot e nesër në orën 19.00 në Teatrin Kombëtar. I asistuar në regji nga partnerja Florenca Bellova, Artan Imami interpreton në skenë me aktorët Luli Bitri dhe Enerest Dalipaj.

Gratë sot përballë tablove ikonike, ekspozita me 25 fotografi "Gruaja horizont" e kuruar nga Jetona Koçibelli pret vizitorët këtë fundjavë në Galerinë e Artit në Tiranë.

Në kuadër të edicionit të 7-të të "Metrofest" shfaqet sot e nesër në orën 19.00 në Teatrin Metropol shfaqja "Babai dhe babai" me autor Jeton Nezirajn dhe regji të Kushtrim Koliqit.

Komedia "10 vjet martesë" e Alil Vardar dhe me regji të Andia Xhungës shfaqet sot dhe nesër në orën 19.00 në teatrin "Aleksandër Moisiu" në Durrës.

Këtë të dielë në orën 19.00 në teatrin "Andon Zako Çajupi" në Korçë mbahet një "Mbrëmje operistike" me sopranon Renisa Laçka dhe pianisten Paola Kondakçi.

Në teatrin "Skampa" në Elbasan vihet në skenë sot dhe nesër në orën 19.00 shfaqja "Një dasmë e hatashme" e Robin Hawdon me regji të Kiço Londos.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?