Aktivitetet e kulturës këtë fundjavë: Edmond Murrraj me show magjik në Vlorë! Flamenko spanjolle dhe mbrëmje italiane nga teatri në pazar të Korçës

29 Korrik 2023, 11:20| Përditesimi: 29 Korrik 2023, 14:00

  • Share

Festa e ‘Mik festival’, nën drejtimin e sopranos Inva Mula,  mbledh dashamirësit e muzikës këtë fundjavë në Korçë. Mbahet sot në orën 19.00 në teatrin “Andon Zako Çajupi” koncerti spanjoll ‘Nën ritmin e hapave të Flamenkos’. Ndërsa në orën 21.30 në sheshin e Pazarit merr jetë ‘La notte italiana’ me artistët Desiree Rancatore, Giulio Pelligra dhe Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura nën dirigjimin e Elda Laros. Të dielën në orën 12.30 në kishën ‘Ristozi’ të fshatit Mbroje interpretohen arie antike dhe psalme bizantine  nga çifti i artistëve Gjergji dhe Ionela Mani, të cilët së bashku me klarinetistin Igli Tuga përmbyllin festivalin në orën 19.00 me një koncert me muzikë shqiptare dhe rumune në fshatin Drenovë.

Prestigjitatori dhe iluzionisti Edmond Murraj do të argëtojë publikun e teatrit ‘Petro Marko’ në Vlorë me numra shpejtësie dhe spektakël magjik, sot në orën 20.00. Të ftuar gjatë mbrëmjes artistike do të jenë edhe Parodistët e Vlorës dhe këngëtarja Kristel Qari.

Përralla e ‘Princeshës së akullit’ mbahet këtë të diel në orën 20.00 në teatrin ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës përmes gjuhës së dancit. Yjet e Trupës së Baletit Klasik të Ukrainës sjellin në skenë mesazhe për paqe e dashuri, duke sfiduar traumat e shkaktuara nga Lufta në vendin e tyre.

Nga pedonalja e vendlindjes në Shkodër në tematika globale. 8 vepra të piktorit Edi Hila realizuar prej periudhës pandemike, ekspozohen në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri deri në 10 gusht si  “Territore të përvojave të jetuara” të kuruara nga studiuesi i artit Zef Paci.

‘Varg festival’ i mbajtur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mirëpret sot në orën 20.00 në shëtitoren e Sarandës xhaxha dhe nip, Kristo dhe Aleksandër Çipa me rrëfime për poezinë, trashëgiminë dhe identitetin.

Fotografitë në bardhë e zi të vëllezërve fotografë Janaki dhe Milton Manaki, pjesë e Arkivës së Maqedonisë së Veriut dokumentojnë historinë, mënyrën e jetesës, etnografinë dhe momentet skenike. Ekspozita e rrallë e kuruar nga Luçjan Bedeni vijon e hapur deri në 5 nëntor në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër .

65 muzikantë të rinj nga 15 shtete, nis sot në orën 21.00 në Amfiteatrin e Durrësit ngjarja e madhe muzikore  e udhëhequr nga dirigjenti Desar Sulejmani “Western Balkans Youth Orchestra”.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?