Aksioni i Europol me 197 të arrestuar për drogë! ‘Niko’ e ‘Mario’ dy shqiptarët që bënin lidhjet e trafikantëve Francë – Kolumbi

23 Shtator 2023, 15:25| Përditesimi: 23 Shtator 2023, 15:36

  • Share

Një nga personat më të kërkuar në europë është vënë në pranga nga aksioni i fundit i Europolit, që arrestoi 197 anëtarë të bandave kriminale të trafikut të drogës dhe armëve. Raul Moreno, më i kërkuari në Evropë u arrestua më 7 shtator 2023 në Bogota, Kolumbi.

Aksioni çoi në pranga edhe shtetas nga Shqipëria, Polonia, Spanja dhe Franca. Super trafikanti Raul Moreno u gjet bazuar në informacionet e siguruara nga Garda Kombëtare Spanjolle dhe Interpoli, që në bashkëpunim me autoritetet kolumbiane arriti të zhvillonte një operacion për kapjen e tij. I shumëkërkuari kishte mbërritur në Kolumbi në vitin 2020, pas arratisjes nga Spanja, pas kapjes së një ngarkese të madhe me kokainë. I arrestuari po organizonte një transport të madh të lëndëve narkotike nga Kolumbia në Portet e Valencias në Spanjë të kamufluara si dërgesa me fruta dhe perime.

Pjesë e aksionit ishte edhe arrestimi i dy shqiptarëve të përfshirë në trafikun e kokainës në Kolumbi, konkretisht Besnik Nikolli, i njohur edhe si ‘Niko’ ose ‘El Gordo’ si dhe Lirido Ajazi apo Lirido Shurtaj, i njohur si ‘Mario’.

Raporti i policisë thotë se Niko u ndalua në qytetin bregdetar të Santa Martës dhe se roli i tij ishte lidhja midis trafikantëve të drogës në Kolumbi dhe Francë. Sipas policisë, Nikolli ka një histori më shumë se 10-vjeçare në krim dhe përdorte portin e Santa Martës për dërgimin e ngarkesave me kokainë në Francë.

Në rolin e koordinatorit, ai akuzohet se ka eksportuar të paktën dy tonë kokainë në vit. Shqiptari tjetër Lirido Ajazi u kap në një zonë të Calit dhe ishte organizatori i takimeve me kolumbianët.

Ai kishte kontakte me kartelet kolumbiane, shqiptare, franceze dhe dominikane. Ai mbërriti në Kolumbi pasi ishte në kërkim nga policia e disa vendeve evropiane për krime të ndryshme, përfshirë trafikun e drogës. Policia ka bërë të ditur se Lirido Ajazi e transportonte kokainën duke përdorur valixhe të dyfishta. Sipas Europolit, arrestimi i 197 personave u bë bazuar në provat e gjetura në 29 episode hetimi për trafik droge dhe armësh por edhe krime të tjera të dhunshme.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?