Ajazi në NATO, socialistët: Nuk
kemi dijeni për propozimin

14 Nëntor 2017, 10:26| Përditesimi:

  • Share
Socialistët u ndodhën në mbledhjen e grupit parlamentar pasditen e së hënës, kur kryeministria konfirmoi lajmin se Edi Rama kishte propozuar Visho Ajazin për ambasador në NATO.

Vendimi i ka gjetur të papritur, siç konfirmojnë disa prej tyre të pyetur nga Report TV.

Xhemal Qefaliaj, i cili kur PS ishte në opozitë u angazhua në një hetim parlamentar të zhurmshëm kundër Visho Ajazit, asokohe drejtor i SHISH, duket se nuk e ka përtypur lehtë këtë propozim.

“Mbetet për tu parë. Në fakt ka qenë suprizues propozimi i kryeministrit. Në fakt më ka habitur, mbetet për tu parë. Dua ta mendoj një çik më gjatë këtë pjesë”, është shprehur Qefaliaj.

Të tjerët, duke shmangur komentet, bëjnë të paditurin për këtë propozim suprizues të kryeministrit.

“Nuk jam në dijeni të këtij propozimi”, thotë Bushati i pyetur nga gazetarja e Report Tv. Gjithashtu edhe Bledi Cuci thotë se: “Nuk  e di. Tashi po e dëgjoj. Ta mendojë njëherë se di. Se di a është e vërtetë njëherë pastaj”.

Për kryetaren e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ermonela Felaj, fati i mëtejshëm i Visho Ajazit pari ka dorëzuar karrigen e parë të SHISH nuk ka asnjë rëndësi.

“Nuk ka lidhje fare me Komisionin e Sigurisë kjo çështje. Nuk ka lidhje. Lexoni ligjin ju lutem, nuk ka lidhje fare ky vlerësim nga ana e Komisionit të sigurisë”, tha Felaj.

Vetë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nuk pranoi të prononcohej. Ajazi, i cili në 30 tetor u dorëhoq nga SHISH do të shkojë në NATO pas një seance dëgjimore në Komisionin e Jashtëm dhe pas dekretimit të presidentit Meta. Aktualisht, ambasador i Shqipërisë në NATO është Leonard Demi, ish deputet i PD-së, dhe Ish kryetar i komisionit të Sigurisë Kombëtare. Edhe Demi u zgjodh nga kryeministri Rama, edhe pse demokrat, për të qenë kryediplomat i Shqipërisë në aleancën euroatlantike.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni potestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?