Ahmetaj: Raporti i BB fakton ecurinë
pozitive të reformat tona në ekonomi

29 Tetor 2014, 15:22| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Raporti i Bankës Botërore “Për të bërit biznes” e klasifikon Shqipërinë si njërën ndër 40 ekonomitë me përmirësimin më të madh në klimën e biznesit për këtë vit. Raporti i “Doing Business” e vlerëson Shqipërinë me 40 vende, duke e ngjitur nga klasifikimi i 108 në botë në vendin e 68, përsa i përket reformave për përmirësimin e klimës së biznesit , ndërsa në rankimin total mes 189 vendeve, Shqipëria ka fituar 22 vende nga viti shkuar, ku pozicionohej në vendin e 90.
 
Pas publikimit, ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj shprehet se modeli i ri ekonomik dhe reformat e qeverisë kanë dhënë efektet e saj.
 
Ahmetaj tha se në të kundërt të deklaratave të djeshme të liderit të opozitës se në vend po mbyllen mijëra biznese, raporti tregon realitetin se hapja biznese ka njohur lehtësira.
 
Në raportin theksohet se në Shqipëri treguesi është përmirësuar me 6.27 pikë, ndërsa aspektet pozitive janë disa. Shqipëria ka përmirësuar kushtet për hapjen e një biznesi të ri si rezultat I uljes së tarifave të regjistrimit të sipërmarrjeve. Raporti identifikon përmirësime në sektorin e ndërtimit, duke nënvizuar se dokumentet e nevojshme për lejet, janë njehsuar në një të vetëm, teksa tashmë ka rifilluar nisja e dhënies së lejeve të ndërtimit. Raporti vëren përparim edhe në transferimin e pasurisë, me vendosjen e afateve kohore dhe dixhitalizimin e dokumentacionit për pasuritë e patundshme.
 
Përsa i përket problematikave Shqipëria e ka dobësuar sistemin e transaksioneve të mbuluara me garanci, përmes një ndryshimi të Ligjit për Barrët Siguruese, i cili nuk lejon vendosjen e barrës siguruese mbi aktivet e patrupëzuara. Gjithashtu Shqipëria e ka bërë më të kushtueshëm pagimin e tatim-taksave nga shoqëritë tregtare, përmes rritjes së shkallës së tatimit mbi fitimin.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?