Ahmetaj: Taksa e pronës,ngarkesa
do të ulet për 95% të bizneseve

11 Nëntor 2017, 15:29| Përditesimi:

  • Share
Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, në kuadër të aktiviteteve të qeverisë shqiptare në qarkun Dibër, zhvilloi një takim me sipërmarrës të zonës, përfaqësues të biznesit të vogël e të madh nga sektorë të ndryshëm, për prezantimin e paketës fiskale dhe elementët kryesorë të buxhetit 2018, me fokus të vecantë financimet në qarkun Dibër.

“Ky është buxheti më i madh i investimeve publike ku përfshihen patjetër pjesë të rëndësishme të qarkut të Dibrës, siç është unaza e qytetit të Peshkopisë, është rruga Arras-Kastriot, përtej rrugës së Arbrit.

Ndërkohë kemi parashikuar dhe investime në rikonstruksione shkollash, qëndra shëndetësore, janë 410 qendra shëndetësore që do të investohen brenda vitit 2018 dhe brenda mandatit, 300 qendra shëndetësore në të gjithë Shqipërinë.


Në aspektin e mbështetjes sociale, një nga ato masa që dua ta përmend vazhdimisht, janë librat falas për të gjithë fëmijët deri në klasën e 5 dhe sigurisht, ka elementë socialë që prekin shtresa të ndryshme të popullsisë, por sidomos të atyre në nevojë.

Bashkia e Peshkopisë përfiton gati 27 milionë lekë plus nga ajo që do të merrte normalisht dhe besoj që brenda paketës fiskale ne do avancojmë dhe me taksën tek ndërtesat që do të jetë një e ardhur shtesë për bashkinë e Peshkopisë dhe për bashkitë e tjera.

Po fokusohemi tek investimi në rrugën e Arbrit që është jo pak por 171,8 milionë euro. Më pas në vitet që vijnë sigurisht që do t’i vijë rradha dhe investimeve të tjera” – tha Ahmetaj.

Referuar paketës fiskale, Ministri prezantoi incentivat e parashikuara në sektorin e turizmit, uljen e tatim-fitimit në ICT nga 15% në 5%, ndryshimin e pragut të TVSh dhe taksën e pronës.

“Tek taksa e pronës dhe taksa mbi ndërtesat, lajmi i mirë për ata që janë në sipërmarrje, është që iu ulet ngarkesa fiskale. Pra, besoj që për 95% të bizneseve të Shqipërisë, ngarkesa e taksës së pronës do të ulet.

Unë kam bërë disa llogari dhe ndoshta në Dibër është edhe 4 mijë lekë në vit më pak. Nuk është pak, nuk është shumë, por sinjali është i qartë që ngarkesa për biznesin të ulet dhe të ketë një proporcion mes ngarkesës që kanë qytetarët dhe asaj që ka sipërmarrja”
– tha Ministri.

Një nga vendimet e Këshillit të Ministrave të miratuara në Mbledhjen e Qeverisë në Dibër, është ai për uljen e pragut të TVSH nga 5 milionë në 2 milionë lekë në vit.

Ne kemi ndërmarrë edhe një hap të uljes së nivelit të detyrimeve të deklarimit të TVSH-së nga 5 milionë në qarkullim në 2 milionë në qarkullim. Qëllimi është që të kontrollojmë më mirë biznesin e madh.

Kemi pasur probleme të vazhdueshme me deklarim të bizneseve nën 5 milionë, edhe për shkaqe se e kemi thjeshtëzuar taksën, e kemi bërë zero. Tani kalojmë në një regjim pa rritur asnjë taksë për biznesin!

Është thjesht një regjim deklarimi i ri, do të jetë një deklarim i thjeshtëzuar një herë në tre muaj që nuk e rrit koston, nuk i rrit çmimet sigurisht, por formalizon më shumë ekonominë”
– theksoi Ministri Ahmetaj.

Redaksia Online
Xh.F/ Shqiptaja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?