Agronomi Hajredin Toca: Ja si të përzgjidhni në treg fruta-perimet dhe t’i ruani gjatë në shtëpitë tuaja

16 Nëntor 2023, 12:48| Përditesimi: 16 Nëntor 2023, 17:08

  • Share

Me kamerën e “Rreze Dielli” sot ishim në tregun e fruta-perimeve tek zona e “Vasil Shantos” në kryeqytet, për të folur me Profesorin e agronomisë Hajredin Toca, i cili na dha disa këshilla praktike për të ruajtur frutat dhe perimet.

”Me një sy të shpejtë, në këtë treg këtu dominojnë më shumë mollët e vendit dhe shumë pak ka mollë të importit” tha profesori në fillim të bisedës, duke shtuar se sivjet nuk ka qenë periudhë e mirë për mollët, pasi ka patur mangësi nga kushtet klimaterike, por pavarësisht kësaj ka sasi mollësh vendi në treg.

”Vendi ynë ka prodhim shumë të mirë natyral, pasi favorizohet nga klima dhe kushtet, kështu që njerëzit e gjejnë veten më mirë me to, sesa me prodhimet e importit” shtoi ai, teksa theksoi se nga importi nuk vjen cilësia e parë e mollës, për shkak të çmimit. Sipas tij, një mollë e mirë duhet të jetë e fortë, të peshojë, të mos ketë dëmtime, të ketë ngjyrën karakteristike të saj.

Por cilat janë disa këshilla që ka agronomi për ruajtjen e mollëve? Së pari, mollët nuk duhet të jenë në kontakt me njëra-tjetrën, pra duhen ndarë, jo të jenë bashkë. Së dyti, mollët duhen larë mirë, me ujë të ftohtë dhe jo më sodë apo produkte të tjera, së treti, pastrimi manual është më praktik, jo lënia në ujë. Më pas Profesori foli për hudhrat, ku tha se një hudhër e importuar dallohet lehtë, pasi ajo nuk mbin kollaj në kokën e saj.

”Unë mendoj se një hudhër e vogël është shumë më e mirë se një e madhe” tha ai, duke shtuar se një hudhër duhet të jetë kompakte, të mos i hiqen pjesët e mbulesës sepse e mbrojnë. Më pas agronomi kaloi tek lakra, ku tha se është në sezonin e saj dhe vendi ynë e prodhon dhe e ruan njëkohësisht, pasi Shqipëria ka kushte shumë të mira për të ruajtur lakrën.

”Së pari duhet të zgjedhim lakrën, ku duhet të jetë e rëndë, sa më e rëndë të jetë aq më shumë ruajtje kemi” tha agronomi, ndërsa për t’a ruajtur mjafton një ambient i freskët, jo detyrimisht në frigorifer. Brokoli ishte një tjetër perim ku profesori u ndal. ”Një brokol me ngjyrë jeshile, të fortë është më i miri që mund të gjendet në treg, pa harruar pjesën kompakte dhe të mos ketë çelur” theksoi ai, teksa shtoi se brokoli ruhet shumë mirë në frigorifer.

Teksa u ndal tek spinaqi, Profesori tha se duhet larë me ujë të ftohtë të rrjedhshëm, teksa ruhet vetëm në pjesën e ftohtë të frigoriferit, duke mos harruar të shtojë se asgjë e ruajtur në frigorifer nuk lahet përpara, pasi uji nga larja, nuk është tharë ende dhe është një predispozicion për mykje. Domatet ishin një tjetër produkt që u ndal profesori, i cili tha se edhe pse nuk janë të sezonit tani, pra produkte serash, janë shumë të mira për konsum. Në fund të bisedës, agronomi u ndal tek arrat, të cilat janë në sezonin e tyre.

”Arrat që peshojnë më shumë ruhen më gjatë, sikurse duhen blerë me lëvozhgë, jo të hapura” shtoi ai. Në Shqipëri ka shumë varietete arresh, kështu mund të përmendim vetëm në rrethin e Dibrës janë 40 kultivar arrash. Shegët gjithashtu duhet të jenë shumë kompakte dhe nuk duhet të jenë të dëmtuara, në mënyrë që të ruhen sa më mirë.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?