U falsifikonin testin e COVID dhe dërgonin emigrantë në vendet e BE për 600 euro, shkon në 5 numri i të arrestuarve në agjencitë turistike në Tiranë

30 Janar 2021, 12:35| Përditesimi: 30 Janar 2021, 13:31

  • Share

Shkon në 5 numri i personave të arrestuar, bashkë me 4 pronarë të agjensive turistike të cilët kishin vënë në zbatim një skemë mashtrimi, duke përfituar edhe nga situata e COVID, për t'u mundësuar udhëtarëve të ndryshëm vajtjen në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani, duke përfituar shumën 600 euro për person.

Sot është arrestuar O. Gj., 18 vjeç, pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale. Në pranga më parë kanë rënë Ergys Vejseli 34 vjeç, Gentiana Konini 44 vjeç, Klotida Çela 32 vjeçe dhe Petrit Cara P. C., 37 vjeç, të katërt banues në Tiranë.

Të 4 pronarët e një agjensie udhëtimi dhe 18 vjeçari i  arrestuar sot u merrnin qytetarëve të ndryshëm 600 euro për t’i dërguar në vendet e Bashkimit Europian, në një kohë kur shumë shtete kanë mbyllur kufijtë. Të përfshirë në çmim, ato bënin edhe falsifikim të formularin COVID dhe garanci të destinacionit të vendit pritës.

Gazetari i Report Tv, Sokol Dema më herët ka raportuar se janë mbi 500 persona që janë kaluar në Gjermani. Të arrestuarit akuzohen se kanë falsifikuar jo vetëm testin e përgjigjes së koronavirusit por edhe kontratat e punësimit.

Fillimisht agjencia e udhëtimit kalonte këta shtetas nga Shqipëria me autobusë për në Hungari dhe më pas në Gjermani. Hetimi për ta ka gati një muaj që ka nisur, ndërsa kjo veprimtari dyshohet të ketë filluar që nga muaji shtator.

Njoftimi i policisë:

Vijon operacioni “Shtegtimi".

Shkon në 5 numri i të arrestuarve.

Kapet dhe vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni.

Në vijim të operacionit policor të koduar  "Shtegtimi", finalizuar një javë më parë nga DVP Tiranë si rezultat i të cilit u vunë në pranga 4 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi O. Gj., pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit O. Gj., 18 vjeç.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, duke përfituar nga situata e pandemisë ‘’COVID-19’’, nëpërmjet kamuflimit, për t'u mundësuar udhëtarëve të ndryshëm vajtjen në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani, kanë përfituar shumën 600 euro për person, duke shmangur detyrimet tatimore, si dhe kanë falsifikuar formularë të testit ‘’COVID-19’’ dhe garanci të destinacionit të vendit pritës.

Vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?