Agim Balla: Bletari profesioni i
cili më ka siguruar jetën për 40 vite

10 Dhjetor 2015, 09:10| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Sot, të rinjtë orientohen drejt profesioneve që pretendojnë se fitojnë shumë dhe bëjnë një karrierë të shkëlqyer! Një realitet i hidhur për një pjesë të mirë, pasi janë dhe disa zanate ose profesione të cilat hyjnë te kategoritë e profesioneve të veçanta që nuk ‘vdesin’ kurrë.

Bletari është një ndër profesionet e shëndetshme dhe plot energji pozitive, dhe padiskutim një punë që të gjeneron të ardhura. Ndoshta nga shumë të rinj këto orientime konsiderohen të vjetra dhe pa perspektiva, por në fakt realiteti ka treguar krejt të kundërtën.

Agim Balla, është një ndër bletërritësit më në zë në qytetin e Tiranës i cili prej më shumë se 40 vitesh kujdeset për bletët e tij. Në një intervistë për “Shqiptarja.Com”, 60 vjeçari nga Funari i Elbasanit tregon pasionin e tij që në moshën 17 vjeçare, një zanat të cilin e ka të trashëguar nga babai i tij, një punë që pohon se do ta bëj deri në fund të jetës së tij. “I gjithë kontakti im i parë me bletët ka nisur që në moshën 17 vjeçare. Ishte babai im i cili më merrte gjithmonë me vete në zonën ku mbanim bletët.

E mbaj mend si tani momentin kur im atë filloi të më mësonte gjithçka për bletët”, tregon plot pasionin Agimi. Profesioni i një bletërritësit që rritën bletët, kërkon njohuri dhe aftësi të përshtatshme dhe për këtë arsye ai na tregon të gjithë hapat që duhet të ndjek për të marrë mjaltin. Por, Agimi nga Tirana tregon se pavarësisht se rritja e bletëve është një mundësi e sigurt të ardhurash jo vetëm në fshat, por dhe në qytet, ai thotë se nuk e ka kthyer kurrë në biznes, por vetëm për nevojat familjare. Në këtë rrëfim mësojmë edhe ky zanat po mbahet ‘gjallë’, por kënaqësitë që të ofron ky ‘profesion i ëmbël’.
 
Bletari, një zanat që nuk e njohin të gjithë. Kur keni nisur të merreni me bletët?
I gjithë kontakti im i parë me bletët ka nisur që në moshën 17 vjeçare. Ishte babai im i cili më merrte gjithmonë me vete ne zonën ku mbanim bletët. E mbaj mend si tani momentin kur im atë filloi të më mësonte gjithçka për bletët. Bleta mbretëreshë është e vetmja bletë e familjes që mund të pjellë. Bletët punëtore kryejnë gjithë punët e nevojshme për jetën e kolonisë: mbledhin nektarin, polenin, ndërtojnë hojet, freskojnë/ngrohin/pastrojnë kosheren, etj. Bletët punëtore jetojnë vetëm disa javë në verë dhe deri në disa muaj në dimër. U bënë gati 40 vite që merrem më këtë punë dhe do vazhdoj ta bëj deri në fund të jetës time.
 
Ku i mbani bletët. Si arrini ti shtegtoni nga një zonë në një zonë tjetër?
Bletët i shëtis në fshatra të ndryshëm sipas kullotave duke filluar nga zonat fushore deri në vendet malore. Përgjithësisht varet nga kullota e cila varion nga muaji Maj deri në Dhjetor. Para një jave i mora bletët nga kullota e Maresë e cila i përket kullotës së dimrit. Sigurisht që ekzistojnë mënyra të ndryshme të mbajtjes së bletëve dhe unë kam zgjedhur mënyrën e kosheres. Bleta jeton vetëm në familje, ku çdo familje përbëhet nga disa dhjetëra mijëra bletë punëtore, disa qindra ose mijëra meshkuj dhe nga një mëmë (mbretëreshë). Asnjë bletë nuk mund të jetojë jashtë familjes.
 
Çfarë të veçante ka kullota Maresë?
Kullota Maresë bën që mjalti të jetë i hidhur, por efektet e tij kuruese janë të mëdha. Kjo kullotë ndikon si tek bletët dhe tek  problemet shëndetësore të ndryshme të njeriut. Ka mjaltë tërfili, gështenje, duhani, mareje, akacie, etj. Mjalti i Maresë kushton diku tek 20 mije lekë për kilogramë për shkak të vetive dhe vështirësisë që ka në prodhim.
 
Përveçse mjaltit çfarë benefitesh merren nga bletët?
Bleta prodhon mjaltë, qumësht, dyllë dhe propolis. Propolisi mblidhet gjatë kohës se verës dhe nga një arkë mund të merret deri në 100 gr. Ka cilësi shëruese që përgatitet në formë pomade dhe përdoret për shërim plage. Ndërsa, helmi ka përdorim më të shumtë në sëmundjet e reumatizmës.
 
Ju si ekspert i fushës së bletarisë mund të na tregoni edhe vlerat e qumështit të bletës?
Qumështi i bletës sigurohet kur kullota është në kulmin e saj gjatë muajit Qershor në zonat e ulëta dhe në muajin korrik në zonat malore. Qumështi përftohet në sasi të pakta dhe është i kushtueshëm për shkak të vlerave kurative që ai ka.
 
Tani që jemi në sezonin e dimrit, si rrini të kujdeseni për to?
Gjatë këtij sezoni ose më saktë përgjatë tre muajve pasi i mbyll bletët për dimër, sigurohem që ajo të ketë ushqimin e nevojshëm për vete. Pastaj merrem me riparimin e koshereve rezervë dhe ruajtjen e kornizave që të mos dëmtohen pitet e dimrit gjatë dimrit.
 
Veç pasionit është dhe një mundësi e mirë biznesi tregtimi i mjaltit?
Unë, bletën e kam pasion të trashëguar nga im atë dhe çdo gjë e bëj me shumë dashuri. Mjaltin që siguroj e kam për përdorim familjar dhe kurrsesi nuk e kam kthyer në biznes.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?