Afron klasikja, frikë për dhunë në Tirana-Vllaznia! Duka: S'janë tifozë, por njerëz të cilët përfitojnë nga futbolli

14 Dhjetor 2023, 15:36| Përditesimi: 14 Dhjetor 2023, 18:21

  • Share

Tirana-Vllaznia është klasikja e futbollit shqiptar, që pritet me padurim nga tifozët e klubeve. Mirëpo vitet e fundit shpesh ajo që ndodh në fushën e gjelbër e ka humbur rëndësinë, për shkak të përplasjeve mes tifozëve. Të dielën ndërkohë dy klubet do luajnë në Tiranë për javën e 17 të Superligës.

“Tirana dhe Vllaznia janë dy klube me histori, legjendare, emblematike. Duhet të respektojmë lojën në rradhë të parë dhe njëri-tjetrin. Asnjë fenomen dhune nuk ka lidhje me futbollin. Madje mund të ketë të interesuar që nëpërmjet futbollit duan të realizojnë qëllime të tjera,”-u shpreh Armand Duka, kreu i FSHF-së.

Duka, i cili sot zhvilloi një takim me drejtuesit e Vllaznisë, por edhe shoqatën rajonale të Shkodrës, u pyet edhe për dhunën e paprecedentë të pak javëve më parë në futbollin e vajzave po mes Tiranës e Vllaznisë.

“Nuk ka qenë e lehtë. Padyshim që komisioni i disiplinës po e shqyrton dhe do japë vendim. Nuk është një gjë e mirë, aq më shumë për futbollin e vajzave dhe uroj mos të ndodhë më,”-tha Armand Duka, kreu i FSHF-së.

Drejtuesit e klubit të Vllaznisë, në bashkpunim me federatën dhe bashkinë e qytetit, janë në bisedime për ndërtimin e një kompleksi sportiv ku do të kryhen stërvitjet.

“Albani (presidenti i Vllaznisë) ka bërë një projekt-ide për të ndërtuar një kompleks sportiv në ish-uzinën e telave, që i është vënë në dispozicion bashkisë. Bashkarisht të bëjmë një projekt që do ta kthejë në qendër stërvitore. Ideja është të ndërtojmë katër fusha stërvitore dhe të gjithë ambientet e nevojshme. Uroj ta kurorëzojmë sa më shpejt,”-deklaroi Armand Duka, kreu i FSHF-së.

 

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?