Afro 700 student peticion bashkisë së Tiranës për abonetë! Burime: Shpërndarja do nis të premten

26 Tetor 2020, 18:48| Përditesimi: 26 Tetor 2020, 19:01

  • Share

TIRANË- Nga muaji korrik kur rinisi transporti publik, studentët kanë lëvizur duke blerë biletë. Abonentë nuk u shpërndanë që me nisjen e pandemisë, por në një kohë që qytetarëve iu afruan pas fillimi të transportit, për studentët kjo akoma nuk ka ndodhur edhe pse ata u kthyen në auditore që në muajin gusht.

Për këtë arsye, një peticion me 669 firma studentësh u dorëzua këtë të hënë në këshillin bashkiak të Tiranës me kërkesë për nxjerrjen në treg të abonesë së studentit.

“Së pari i jemi drejtuar me një ankesë këshillit bashkiak të Tiranës për shkak se këto 4 muaj nga data 6 korrik kur ka rifilluar edhe transporti publik aboneja e studentit nuk ka dalë në qarkullim dhe së dyti një kërkesë nga këta studentë që aboneja të fillojë nga nëntori e mbrapa. Kjo është një kërkesë ekonomike e studentëve e cila është shumë e nevojshme, lidhet me përditshmërinë e tyre”-u shpreh Rigels Xhemollari.

Por burime nga Bashkia Tiranës thanë për Report tv se aboneja e studentit do të dalë në treg ditën e premte. Sipas shoqatës së transportit për këtë vit është bërë porosia për rreth 21 mijë abone studenti që kushton 600 lekë.

Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare shpjegon se pagesa për biletën e transportit është një barrë ekonomike që ju shtohet studentëve në situatën e pandemisë.

“Në këtë situatë pandemisë që tarifat nuk ndryshuan, ku studentëve ju duhet të paguajnë qiratë, i shtohet edhe barra e biletave ditore të transportit publik ashtu si i shtohet edhe barra e maskës, që tashmë me rregulloren e re të universitetit do të jetë e detyrueshme dhe do të jetë një përdorimshe”-tha Rigels Xhemollari.

Viti i ri akademik do të nisë më datë 2 nëntor me rreth 21 mijë studentë që regjistrohen për herë të parë.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?