Afrimi i Naços në PS, Qefalia: Erdhi vetë, mazhoranca nuk vuan për figura politike! Armët pa leje? Qytetarët duhen nxitur t’i dorëzojnë

6 Janar 2021, 17:52| Përditesimi: 6 Janar 2021, 18:30

  • Share

Deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia ka komentuar largimin e Nasip Naços nga LSI dhe ardhjen e tij në rradhët e PS-së. Në një intervistë në Report Tv, Qefalia është shprehur se Naço i është bashkuar socialistëve vetë dhe nuk ka pasur një ftesë nga partia.

Ai thotë se PS nuk vuan për figura politike dhe ardhja apo ikja e dy individëve nuk e zhbën boshtin e mazhorancës.

“PS është një parti e hapur që ka shpalosur dhe u ka ofruar mundësi për të gjithë që mendon të kontribuojë në këtë parti. Nuk është diversion por është një gjetje. Nuk ka shkuar PS tek Nasip Naço por ka ardhur Nasipi tek ne. PS ka qenë e qartë dhe e kthjellët në mjaft individë. PS e ka mbajtur qëndrimin e saj dhe përsa kohë kemi parti që i bashkohet partive të tjera të mëdha për qëllime pragmatiste, ka bërë të mundur që kjo parti të mos krijojë identitetin e saj. Nuk janë personazhe fatkeq, disa persona që kanë mbajtur poste të rëndësishme por kanë qenë produkt i LSI-së. Ato e kanë parë që ajo forcë politike i linte njerëzit në mes të rrugës. Nuk mendoj që PS vuan për figura politike. PS ka në spektrin e saj mjaft, figura, intelektualë. Ardhja apo ikja e dy individëve, nuk e zhbën boshtin që ka kjo mazhorancë” – tha Qefalia.

Duke ngritur shqetësimin e armëmbajtjes pa leje nga qytetarët, deputeti, njëkohësisht dhe anëtari i Komisionit të Sigurisë, Qefalia tha se duhet nxitur dorëzimi vullnetar i armëve.

Ai shprehet se ky është një fakt shqetësues dhe duhet krijuar patjetër shansi që të bëhet dorëzimi vullnetar i armëve.

“Unë si anëtar i Komisionit të Sigurisë kam insistuar vazhdimisht që t’i bashkohet ligjit të policisë. Ne jemi koshient që shumë qytetarë kanë ende armë. Është një fakt shumë shqetësues. Duhet parë mundësia për të krijuar shancet që të bëhet dorëzimi vullnetar i armëve dhe të bëhet kudo kontrolli. Ka shumë gjëra që mund të rishikohen. Nuk mund t’i lihet kjo gjë vetëm punonjësve të policisë. Duhet një gërshetim i shumë organizatave. Duhet futur në lojë pushteti lokal që të bëjnë thirrje dhe apelim që të stimulohet” – tha Qefalia.

Ndërkohë për marrëdhëniet Turqi-Shqipëri, Qefalia tha se 2 vendet janë në bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin.

“Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë kanë qenë miqësore gjithmonë. Kemi pasur gjithmonë mbështetjen e Turqisë në fusha të ndryshme qoftë në polici qoftë dhe në ushtri. Gjithashtu dhe në ndihmën e fundit në ndërtimin e 500 shtëpive. Shqipëria është vend partner i BE-së dhe ka bashkëvepruar me vendet fqinje për të luftuar terrorizmin. Unë mendoj që në deklaratë, nëse një organizatë konsiderohet terroriste, atëherë Shqipëria do ta luftonte. Çështjet e sigurisë kombëtare kanë një format të gjerë në mënyrën e analizimit të tyre dhe tërheqjes së konkluzioneve. Këto organizata monitorohen nga shumë institucione” – tha Qefalia.

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?