AFP: Tahiri dobësoi politikisht
Ramën, minon aspiratën në BE

25 Nëntor 2017, 18:22| Përditesimi:

  • Share
"Gjashtë muaj pas triumfit elektoral në zgjedhjet parlamentare, kryeministri duket i dobësuar. Skandali shpërtheu në mes të tetorit, pas arrestimit të një trafikanti shqiptar në Itali. Mediat lokale publikuan përgjimet telefonike ku duket se komprometohet edhe Tahiri".

Kështu shkruan agjencia e njohur franceze e lajmeve, duke komentuar aktualitetin politik në Shqipëri, pas nisjes së hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i akuzuar nga Prokuroria si i implikuar në trafikun e drogës. AFP thekson se këto hetime kanë dhënë një goditje shpresave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. 
 
Një hetim ndaj ish-ministrit të Brendshëm shqiptar dhe lidhjeve të dyshuara të tij me trafikun ndërkombëtar të kanabisit, vjen në kohën më të papërshtatshme për vendin ballkanik, që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Vend kandidat që prej vitit 2014, Shqipëria synon që të bindë Brukselin që të hapë negociatat për anëtarësim në fillim të vitit që vjen. Por skandali ku përfshihet Saimir Tahiri, 38 vjeç, ministër i Brendshëm deri në mars dhe një aleat i ngushtë i socialistit Edi Rama, ka detyruar vendin që të mbrojë historinë me trafikun e drogës”, thuhet në shkrim.

PS fitoi e vetme zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, 6 muaj më parë, por sipas AFP, Rama tashmë është dobësuar politikisht. "Skandali shpërtheu në mes të tetorit, pas arrestimit të një trafikanti shqiptar në Itali. Mediat lokale publikuan përgjimet telefonike ku duket se komprometohet edhe Tahiri. Saimir Tahiri 38 vjeç, ministër i Brendshëm deri në pranverën e 2017, është i afërt me Kryeministrin socialist Edi Rama. Në një vend kur debati politik rrallëherë është i dhunshëm, ambasadori i SHBA Donald Lu pothuajse u ka dhënë të drejtë të dy kapmeve: ‘Shqipëria ka probleme me lidhjet midis trafikantëve dhe politikanëve. Ky nuk është problem i një partie të vetme’. Kjo deklaratë është në kontrast me heshtjen e kujdesshme të kancelarive europiane, të cilat i kanë dhënë mbështetje Edi Ramës që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2013”, shkruan AFP.

Në shkrim theksohet se për vite të tëra, Shqipëria ka qenë eksportuesi më i madh i kanabisit në Europë. Burimet diplomatike perëndimore përllogarisin se tregtia e kanabisit përbën një të tretën e Prodhimit të Brendshëm. “Aktakuza ndaj ish-ministrit të Brendshëm në trafikun ndërkombëtar të kanabisit minon pozicionin e Shqipërisë për afrimin e saj me Bashkimin Europian. Zyrtarisht kandidat prej vitit 2014, Tirana zyrtare synon të bindë BE-në që të hapë negociatat me BE-në në fillim të vitit të ardhshëm". 

Agjencia franceze e lajmeve sjell në vëmendje edhe letrën e Kryeministrit Rama që u dërgoi liderëve të BE-së pak ditë më parë, të cilëve u shpjegonte se Shqipëria nuk është më kryeqyteti evropian i kanabisit sikurse shkruajnë mediat. AFP citon edhe kreun e opozitës Lulzim Basha, i cili akuzon qeverinë se është e lidhur me trafikantët e drogës".
 
AFP risjell në kujtesë deklaratat e Saimir Tahirit, i cili pranoi si gabim të vetëm faktin që u ka shitur makinën vëllezërve Habilaj, pa verifikuar më parë veprimtarinë e tyre. Sipas agjencisë franceze, prej disa vitesh Shqipëria ka qenë furnizuesi më i madh i kanabisit për vendet e BE-së. “Shqipëria prej vitesh ka qenë eksportuesi më i madh i kanabisit në BE, përfshirë edhe Italinë, sipas raporteve të njëpasnjëshme të Europolit. Kjo tregti informale përbën 1/3 e prodhimit të brendshëm të Shqipërisë ose më shumë, sipas burimeve diplomatike perëndimore. Në raportin e fundit, Brukseli beson se autoritetet shqiptare dështuan në identifikimin e grupeve kriminale. Kultivuesit e vegjël kapen rregullisht, por asnjëherë kokat e mëdha. 20 policë, 3 prej të cilëve janë në kërkim sipas urdhër-arresteve të lëshuar më 22 Nëntor, akuzohen për korrupsion në lidhje me këtë trafik. Asnjë zyrtar i lartë nuk ishte përfshirë, deri në momentin kur u shfaq Saimir Tahiri. Tani qeveria sapo ka paraqitur një plan kundër krimit të organizuar dhe në veçanti kundër lidhjeve midis krimit dhe zyrtarëve të lartë të vendit”, përfundon artikulli. /http://www.francesoir.fr/

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?