Foto ilustruese

Abuzimet/ Shoqëria civile propozon: Mosha seksuale në Shqipëri të rritet nga 14 në 16 vjeç

15 Qershor 2022, 10:11| Përditesimi: 15 Qershor 2022, 10:13

  • Share

Rritje të moshës seksuale nga 14 vjeç që është aktualisht në 16 vjeç. Ky është propozimi i organizatës CRCA/ECPAT me qëllim mbrojtjen e dëmijëve. Përmes një njoftimi organizata e shoqërisë civile bën me dije se i është drejtuar sot me këtë propozim në një seancë dëgjimore Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në nenin 100 të tij përcakton moshën 14 vjeç si mosha kufi minimale në të cilën një adoleshent apo adoleshente mund të hyjë në marrëdhënie seksuale. Një ligj ky që mbron në raste pedofilie të rriturit që kryejnë marrëdhënie me të mitur.

Por sipas shoqërisë civile kjo duket se kthehet në një situatë e cila favorizon grabitqarët seksuale dhe pedofilët, të cilët mund të mbështeten në këtë ligj për të detyruar apo për të kërkuar marrëdhënie seksuale edhe me fëmijët të moshës 14 vjeç, duke mos u penalizuar aspak nga ligji.

Përveç vendeve të lindjes në Europë, tashmë pothuaj të gjitha vendet e tjera e kanë rritur tashmë moshën minimale kufi të hyrjes në marrëdhënie seksuale në 15 dhe 16 vjeç.

“Bazuar në këtë përvojë, CRCA/ECPAT Shqipëri ka nisur punën dhe ka përgatitur propozimet ligjore që do ti drejtohen Kuvendit për të ndryshuar Kodin Penal ekzistues.  Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, nënvizoi se: ”Fëmijët kanë nevojë për më shumë mbrojtje, siguri dhe kujdes në jetën e tyre, përfshi këtu edhe mbrojtje më të mirë nga ngacmimet dhe dhuna seksuale. Legjislacioni shqiptar duhet të jetë në linjë me kërkesat dhe standartet e Konventës së Lanzarote të Këshillit të Europës dhe direktivat e Bashkimit Europian””, thuhet në njoftimin e CRCA.

Në vendin tonë, rastet e abuzimit me marrëdhëniet seksuale me të mitur të moshë 14 vjeç e sipër, janë rritur dhe janë kthyer në një ndër problematikat kryesore për opinionin shqiptar. Nga ana tjetër grabitqarët seksualë kërkojnë gjithnjë e më tepër viktima të moshës 14 vjeç e sipër për të anashkaluar problemet me ligjin dhe pa u cilësuar aspak të tillë.

Nenet për krimet seksuale në Shqipëri

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?