Aborti selektiv, Moisiu: Gratë i
detyrojnë bashkëshortët dhe fisi

8 Janar 2014, 16:15| Përditesimi:

  • Share
TIRANË - Raporti i lindjeve mes vajzave dhe djemve është në favor të këtyrë të fundit, konkretisht 100 me 116. Atributi kryesor për këtë është aborti selektiv.
 
Edhe pse tingëllon si term i vjetëruar shifrat gjithmonë e më tepër janë në rritje. Në shumicën e rasteve ky vendim merret nga bashkëshorti apo farefisi.

Drejtoresha e maternitetit “Koco Glozheni”, Rubena Moisiu e shpjegon në këtë mënyrë konkluzionin e rritjes së raportit të lindshmërisë së djemve:

"Ndërpriten shtatzani vetëm se janë vajza. Edhe pse nuk është i dukshëm në sipërfaqe, fenomeni nën të ekziston. Kam frikë se shpesh nuk është nëna që merr vendimin, por bashkëshorti, vjehrra, kunata. Lidhje familjare që në Shqipëri vazhdojnë të jenë të forta".
 
Aborti selektiv bëhet në një moshë më të madhe se ai i zakonshëm, kur fetusi e ka kaluar muajin e tretë dhe kjo sipas gjinekologes Moisiu ka rrezikshmëri të lartë për nënat.

"Ky abort ka rreziqe më të madhe si hemoragjia e madhe pas lindjes. Ajo që aborton përdor mënyra të tjera jo të ligjshme, sepse aborti në këtë moshë nuk është i ligjshëm. Ajo s’vjen dot në spital, sepse nuk ia bën njeri, përpos faktit që mund të mbetet sterile”, thotë Rubena Moisiu.
 
Dorina Bedhia, psikologe klinike tregoi se një nuse me gjendje psikologjike të rënduar donte të abortonte vajzën, pasi “nuk më pranojnë më në shtëpi, më quajnë të paaftë për të bërë djalë. Vjehrri i thoshte nuk je e aftë, ne kemi vetëm djem, unë kam katër djem”...

Sipas raportit të Komitetit Europian, vendi ynë është i pari në Ballkan për abortin përzgjedhës të foshnjave kur ato janë femra.

“Nëse je në gjendje të konceptosh një fëmijë, kjo është një lumturi e madhe se ka shumë çifte në botë, që nuk arrijnë të konceptojnë as edhe një të vetëm pavarësisht gjinisë”, shton Rubena Moisiu.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?