Aleksander Vucic

A po përpiqet Serbia ta 'palestinizojë' Kosovën?

1 Tetor 2023, 19:23| Përditesimi: 1 Tetor 2023, 19:24

  • Share

Kosova po përballet me një nga sfidat më të mëdha pas shpalljes së saj të Pavarësisë. Me ndryshimin e vazhdueshëm të rregullave të lojës nga autoritetet ndërkombëtare, kryesisht nga Brukseli dhe, përballë Serbisë së sotme, që tashmë i ka ekspozuar të gjitha letrat e saj. Presidenti Vuçiq, pak më ndryshe nga paraardhësit e tij post Millosheviq, nuk ka asnjë kredo morale dhe mbi të gjitha politika e tij autokratike për vendin, po e shfrytëzon Kosovën dhe gjithë rajonin për destabilizim, ashtu si po e ndih me një asist bajagi të mirë Rusinë, që nuk duket më aq ‘indiferente’ për Ballkanin.

Për ta zvogëluar fokusin e shkrimit dhe për t’u futur në hullinë tonë: Serbia po fiton kohë prej muajsh e vitesh, fillimisht me konfuzionin e palës ndërkombëtare; tollovinë shpesh të faktorit kosovar dhe shqiptar të Tiranës e mbi të gjitha përkëdheljen që i bëhet Beogradit nga Perëndimi. Atë, që studiuesit kosovarë dhe këshilltarët e shumtë të kryeministrave të Kosovës nuk mundën të bënin dot ishte se nuk duhet të lejonin atë hulli, ku tashmë palët po futen “të bindura, drejt një lloji konflikti të ngrirë. Në orët e fundit zhvendosja e trupave të armatosura gati 100 kilometra larg kufirit të Kosovës po tregon se Serbia ka në kokë zhvillime të tjera, të cilat urojmë të mos përshkallëzohen. Po, a mund të themi për një lloj Palestinizimi të gjithë kësaj marrëdhënie? Ka një sens që kuptohet mirë prej qasjes së negociatorëve serbë: Serbia po blen kohë, ndërsa në rrafshin diplomatik ka një vijë të kuqe, që nuk e shkel askush nga individët e saj në drejtim: Mosnjohja e Pavarësisë së Kosovës.

A ja vlen ky insistim dhe çuarja e problemit në një të tillë? Ka disa përqasje të vagullta historike, porse paralelja është disi e pamundur. Kur flitet për përplasjen Izrael-Palestinë, thelbi i sherrit është se e gjithë mosmarrëveshja, e përmbledhur në pak fjalë, lidhet me një hapësirë të caktuar toke (ajo që dikur ishte e ashtuquajtura Zona e Palestinës së Mandatueshme), të cilën e pretendojnë si palestinezët dhe izraelitët. Zgjidhja me dy shtete nuk ka funksionuar edhe pse vetë SHBA ka negociuar për të ose kemi me këtë rast dhe një Nobel për kryetarin e shtetit të Palestinës dhe kolegun e tij Izraelit. Sot, Palestinës i ka mbetur vetëm Bregu Perëndimor (hapësira midis Izraelit dhe Jordanisë së sotme) dhe Rripi i Gazës (i cili kufizohet me Izraelin dhe Egjiptin). Në thelb, konflikti i shumëpërfolur në dekada izraelito-palestinez është se cili merr aksh tokë dhe si do ta kontrollojë. Plani i Kombeve të Bashkuara për t’u ndarë tokat dështoi dhe Izraeli dhe kombet arabe përreth bënë disa luftëra mbi territorin. Dy luftëra, njëra e zhvilluar në 1948 dhe tjetra në 1967, sidomos kjo e dyta, e fituar nga Izraelin i la asaj kontrollin e Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës, dy territore të banuara masivisht nga popullsi e madhe palestineze. Në ditët tona, Bregu Perëndimor kontrollohet nominalisht nga Autoriteti Palestinez dhe është nën pushtimin izraelit.

Në rastin e Kosovës ka një ndarje territoriale të përcaktuar, që mund të diskutohet, porse pothuajse e gjithë hapësira është njohur si e tillë. Përjashtim bën pjesa fetare, Metohia, që në sens historik ka shumë argumenta edhe për shqiptarët, që kanë pasur aty objektet e tyre të kultit. Anipse, sido që të ulen palët në të ardhmen dhe me çfarëdo ndërmjetësimi, ato asnjëherë nuk do ta shohin njëra-tjetrën në sy. Mosbesimi ndaj serbëve në Kosovë është aq i madh, pas ngjarjeve të 24 Shtatorit saqë tashmë janë ngjallur me shumë të drejtë dhe kujtimet e hidhura të luftës, kur serbët zhvendosën gati 1 milion banorë. Nga Serbia ka në dukje një “mospërfillje” dhe marrje e përgjegjësise nga famëkeqi Radoiçiq, teksa tashmë duket një ngut për t’u rikthyer në pozita të tjera në përballje me Kosovën. E gjithë kjo narrativë e re, Vuçiqit i duhet për konsum të brendshëm, por më shumë se kaq të mbetet në historinë moderne të vendit të tij, paçka se ka shumë pak vend “nderi” për të.

Sa i përket historisë Mesjetare, Kalit të tyre të Betejës, Serbisë duhet t’i kujtohet diçka : Historia, për serbët, filloi në fillim të shekullit të VII, kur ata u vendosën në Ballkan. Baza e tyre e pushtetit ishte jashtë Kosovës, të cilën ata e pushtuan plotësisht në fillim të 13-të, kështu që pretendimi se Kosova ishte ‘djepi’ i serbëve është i pavërtetë. Ajo që është e vërtetë është se ata sunduan Kosovën për rreth 250 vjet, deri në marrjen përfundimtare të osmanëve në mesin e shekullit të 15-të. Kishat dhe manastiret kanë mbetur nga ajo periudhë, por nuk ka më vazhdimësi mes shtetit mesjetar serb dhe Serbisë së sotme saç ka mes Perandorisë Bizantine dhe Greqisë. Kosova mbeti territor osman derisa u pushtua nga forcat serbe në vitin 1912. Serbët do të thoshin ‘e çliruar’, por edhe vlerësimet e tyre e vendosin popullsinë ortodokse serbe në më pak se 25%. Popullsia shumicë ishte shqiptare, dhe nuk e mirëpriti sundimin serb, ndaj ‘i pushtuar’ duket fjala e duhur”, shkruante pak kohë më parë te “Guardian” Noel Malcolm për Kosovën.

Shqiptarët duhet të jenë të kujdesshëm që përpjekja e dukshme serbe për ngrirjen e marrëdhënies me Kosovën, që tashmë po i paraprin gjuha e kërcënimit virtual, duhet të marrë udhë, fillimisht në tryezën e dialogut. Diplomati austriak Petrich e shikonte shumë të dukshme problematikën duke vlerësuar se ekziston rreziku që rritja e tensioneve në terren të shndërrohet realisht në një konflikt të armatosur. “Ekziston një rrezik i tillë, por Brukseli dhe Uashingtoni janë të gatshëm të parandalojnë çdo përshkallëzim. Ne nuk duhet të kthehemi në luftërat e së kaluarës”, theksoi ai. Po a janë më të interesuar vërtetë SHBA dhe BE, duke e justifikuar investimin e tyre për Kosovën?. Këtë do e shohim. Por, megjithë humbjen e serbëve, në ditët e fundit, duket se Kosovës i është marrë terren në bisedime duke ia vështirësuar shumë udhën e shtetformimit. Kjo edhe për shkak të konfuzitetit të emisarëve të huaj. Anipse, një udhë e tillë për një popull aq vital si Kosova, do të ketë një fund të mirë, kurse “palestinizimi: duket mundësia e vetme për Serbinë e sotme, që të justifikojë atë udhë të vazhdueshme lufte që i fali Ballkanit dhe Evropës. (

B.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Palestileshi: 02/10/2023 04:52

    Kosova ishte Palestinë kur ishte nën Serbi, jo tani. Sot Serbia është palestinizuar kundra perëndimit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?