"A pi ujë drejtësia!", protestë para Prokurorisë së Lezhës, banorët kërkojnë hetime për dy hidrocentrale: Ndërtohen me firma të falsifikuara

9 Prill, 13:42| Përditesimi: 9 Prill, 14:06

  • Share

Me moton “A pi ujë drejtësia!”, një grup banorësh nga fshatrat e Mirditës protestuan para Prokurorisë së Lezhës duke kërkuar të hetojë për falsfikimin e firmave që kanë bërë kompanitë private, të cilat po ndërtojnë dy hidrocentrale në fshatrat e tyre. Këta banorë në mënyrë të vazhdueshme kanë protestuar kundër ndërtimit të dy hidrocentraleve përkatësisht në Thirrë dhe Zall Gjocaj të Mirditës, por zëri i tyre nuk është dëgjuar. Ndaj betejën kësaj radhe e zhvilluan tek prokuroria, të cilën e akuzojnë se po zvarrit qëllimisht dy kallëzimet që ata kanë bërë për falsifikim.

“Para tre vitesh kemi paditur ata që kanë falsifikuar firmat e banorëve. Ekspertiza ka nxjerrë se kanë firmosur dhe për të vdekur e jo më për të gjallët. Ne i kërkojmë prokurorisë të hetojë”, tha Adem Gjokola banor i Zall Gjoçaj.

“Në 2021 iu drejtuam prokurorisë për falsifikim të firmave të banorëve. Në vitin 2022 po kështu zbuluam se janë bërë falsifikime për fabrikën e ujit. Ne kërkojmë drejtësi që ata të mos i pushojnë çështjet por ti çojnë në gjykatë”, tha Mat Hasan Pasha banor i Zall Gjoçaj.

“Unë jam prej 3 vitesh jam nëpër gjykata sepse HEC-et dhe fabrika e ujit po na dëmtojnë tokat. Për të qëndruar në fshat, me bagëti me bujqësi nuk mund të jetojmë pa ujë”, tha Mat Pashk Bajraktari banor i Thirrës.

Ata thanë se është provuar falsikimi i dokumentave, por organi i akuzës po i mban dosjet në sirtar, duke mos i marrë të pandehur përgjegjesit. Në mbështetje të tyre kanë dalë dhe banorë të Dibrës e Matit që mbrojnë të njëjtën kauzë.

“Privohemi nga vendi që na lanë trashëgim të parët. Nëse një vendit i heq ujin i heq të drejtën për të jetuar", Xhevdet Karriqi, banor i Dibrës.

“E bëjnë të pajetueshem fshatin dhe pastaj thonë pse ndodh shpopullimi?!- tha Edmond Miza banor i Matit,- duke shtuar se "fshatrat tona duhet të zhvillohen me bujtuna dhe jo të shpopullohen për shkak të mungesës së ujit”.

Burime nga Prokuroria e Lezhës, bëjnë me dije se në vitin 2021 është dorëzuar një kallëzim nga banorët e Thirrës per falsifikim dokumentesh nga kompania "Sang",  çështje që ështe ende në hetim. Ndërsa sa i përket Zall Gjocajt banorët kanë bërë kallëzim ne SPAK, dhe ky e fundit e ka tranferuar dosjen per hetim në Lezhë, në vitin 2022.

R.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?