A mundet Vjosa Osmani ta mandatojë Albin Kurtin dhe kush duhet të zgjidhet i pari?

20 Shkurt 2021, 14:53| Përditesimi: 20 Shkurt 2021, 14:56

  • Share

Pas rezultatit të 14 shkurtit, një prej temave që po diskutohet më së shumti është ajo se si do të procedohet me krijimin e institucioneve të reja. Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se ushtruesi i detyrës së Presidentit nuk mund të mandatojë kandidatin për kryeministër dhe sipas tij duhet fillimisht të zgjidhet kreu i ri i parlamentit, presidenti e më pas Qeveria. Por njëjtë nuk mendon Gjyljeta Mushkolaj, ish-gjyqtare e Kushtetueses. Ajo thekson se udhëheqja aktuale e Kuvendit s’mund të marrë asnjë vendim, derisa sqaron se në momentin që zgjidhet Kuvendi i ri, kryetari i Kuvendit automatikisht bëhet ushtrues i detyrës së presidentit dhe mund të procedojë me mandatimin e kandidatit për kryeministër, formulë kjo për të cilën Hasani thotë se është gabim.

Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Gjyljeta Mushkolaj, në një përgjigje për mediat vendase tha se kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës i cili do të ushtrojë edhe detyrën e presidentit përkohësisht, mund të procedojë me mandatimin e kandidatit për kryeministër.

 “Kuvendi i ri nuk mund të veprojë pa u konstituuar. Pra, zgjidhet kryetari, kryesia. Kryetari i ri i Kuvendit bëhet U.D më pastaj zgjidhet qeveria. Zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet brenda afatit të paraparë me Kushtetutë. Pra asnjë veprim nuk mund të bëhet pa u konstituuar Kuvendi. Kryetari i ri i Kuvendit bëhet U.d i Presidentit. U.D së presidentit mandaton Kryeministrin. Zgjedhja e Presidentit bëhet pastaj”, ka thënë Mushkolaj.

Njëjtë nuk mendon ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Sipas tij, ushtruesi i detyrës së presidentit nuk mund të mandatojë kandidatin për kryeministër. Ai thotë se fillimisht duhet proceduar me Kuvendin, pastaj me zgjedhjen e presidentit dhe më pas me Qeverinë.

 “Renditja e gjymtyrëve kryesorë të pushtetit që përfaqësohen prej organeve përkatëse të pushtetit në një kushtetutë moderne, flet shumë për karakterin e sistemit politik dhe kushtetues. Në Kosovë kjo renditje nis me organin ligjvënës dhe përfaqësues (Kuvendi i Kosovës), vazhdon me shefin e shtetit (Presidenti i Republikës), i cili pasohet nga ekzekutivi (Qeveria e Kosovës)”, ka thënë Hasani.

Glauk Konjufca ka thënë se fillimisht do ta zgjedhin kryeministrin e pastaj presidentin. Lëvizja Vetëvendosje sipas rezultateve preliminare të KQZ’së aktualisht ka 56 deputetë pa votat e diasporës dhe ato me kusht. Zgjedhjen e qeverisë VV e ka më të lehtë pasi ka gjasa të mëdha që të ketë 61 numra në Kuvend. Por zgjedhja e presidentit pritet të jetë sfidë për këtë parti pasi e ka të pamundur që pa partitë shqiptare dhe listën serbe të bëjë kuorumin për të zgjedhur shefin e shtetit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?