A do të afrohen Erdogan dhe Mitsotakis pas fitoreve në zgjedhje?

30 Gusht 2023, 16:43
  • Share

Rivalët historikë Greqia dhe Turqia po shtojnë përpjekjet për të përmirësuar lidhjet pasi udhëheqësit e të dy vendeve siguruan fitore të rëndësishme në zgjedhjet që u mbajtën gjatë këtij viti. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, javën e ardhshme, ministrat e jashtëm turk dhe grek kanë planifikuar të takohen në Turqi. Por, analistët paralajmërojnë se mes fqinjëve, ka ende pengesa thelbësore.

Ministri i Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis është planifikuar të takojë homologun e tij turk Hakan Fidan më 5 shtator. Takimi shihet si përpjekja e fundit e afrimit mes Turqisë dhe Greqisë.

Analistët thonë se fitorja dërrmuese e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në zgjedhjet që u mbajtën në qershor po e lejon atë të ndjekë objektivin e tij afatgjatë për afrim me Turqinë.

“Nuk do të thoja se ai kishte axhendë sekrete, por ai e donte përmirësimin e marrëdhënieve. Fitorja në zgjedhjet e fundit i zgjidhi duart kryeministrit Mitsotakis. Më parë ai kishte pak liri veprimi pasi ministri i tij i jashtëm, kreu i tij i ushtrisë dhe të tjerët ishin shumë të ashpër”, thotë Alexis Heraclides nga Universiteti ‘Panteoin”.

Zoti Mitsotakis shfrytëzoi mandatin e tij për të zëvendësuar ministrin e Jashtëm, Nikos Dendias.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, pas rizgjedhjes në muajin maj, gjithashtu zëvendësoi ministrin e tij të jashtëm me zotin Hakan Fidan, i konsideruar gjerësisht si një diplomat i aftë. Disa analistë thonë se tani presidenti turk është në gjendje të zbusë retorikën e tij nacionaliste, e cila pëlqehet nga baza e tij elektorale, dhe do të jetë më i hapur ndaj propozimeve greke.

“Qeveria e re turke do të jetë shumë më bashkëpunuese. Mendoj se çështjet e pazgjidhshme do të vazhdojnë, por retorika do të jetë shumë më e butë”, thotë Hysen Bagci, kreu i Institutit të Politikës së Jashtme, një organizatë kërkimore me qendër në Ankara.

Deti Egje dhe Deti Mesdhe mbeten pika të nxehta për anijet greke dhe turke, ndërsa dy vendet zhvillojnë kërkime, për ato që besohet të jenë rezerva të mëdha energjie në ujërat e diskutueshme. Në të njëjtën kohë, ishulli i Qipros, i ndarë midis komuniteteve greke dhe turke-qipriote, vazhdon të jetë një pikë e mundshme tensioni.

Analistët thonë se një përmirësim në lidhjet dypalëshe mund të heqë një pengesë për shitjen e avionëve ushtarakë amerikanë në Turqi. Shitja është vonuar pjesërisht për shkak të shqetësimeve të Uashingtonit rreth tensioneve mes dy aleatëve të NATO-s.

Por duke pasur parasysh përpjekjet e dështuara në të kaluarën, vëzhguesit vënë në dyshim se sa do të zgjasin përpjekjet për të përmirësuar lidhjet.

“Në fillim dalin foto të mrekullueshme, të gjithë duke buzëqeshur. Unë mendoj se pas tre muajsh apo gjashtë muajsh, do të shohim nëse njerëzit do të kthehen te reotrikat nxitëse. Kjo është si në një martesë të tmerrshme – fillimisht vjen periudha e shkurtër e muajit të mjaltit, dhe më pas, të gjithë nxjerrin në sipërfaqe karakterin e tyre të vërtetë”, thotë analistja e sigurisë, Aya Burweila

Shenjat shpresëdhënëse së fundmi përfshijnë vendimet e udhëheqësve grekë dhe turq për t'u përmbajtur nga retorika nxitëse pas incidenteve si ndezja e fundit e tensioneve në Qipro dhe vendimi për shpime të reja turke në kërkim të burimeve të energjisë në Mesdhe.

Kryeministri Mitsotakis dhe Presidenti Erdogan pritet të takohen ndërsa marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në tetor. Analistët thonë se të dy udhëheqësit synojnë të mbajnë një takim të nivelit të lartë gjatë këtij viti në Greqi./VOA

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?