Sera me kanabis në Berat

870 kg kanabis në serat e Dronovicës, Apeli nxjerr nga qelia 6 nga të arrestuarit, i lë në 'arrest shtëpie'! Burg pronarit të serave dhe dy rojeve

30 Dhjetor 2022, 21:30| Përditesimi: 30 Dhjetor 2022, 22:07

  • Share

BERAT- Gjykata e Apelit të Vlorës ka lehtësuar ditën e sotme masat e sigurisë për 8 të arrestuarit në serat që u kapën me kanabis në Dronovicë të Beratit. Të pandehurit dolën pasditen e sotme para togave të zeza, ndërsa për 6 prej tyre u vendos masa ‘arrest shtëpie’ nga ‘arrest në burg’. Për nënë e bijë, Drita dhe Izmira Mema, të cilat rekrutonin gratë për të punuar në sera, gjykata ka vendosur masën e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’.

Konkretisht, janë lënë në ‘arrest shtëpie’ Jurgen Ujkaj, Bashkim Mema, Sidrit Bisha, Edison Mema, Mirvaldo Disha dhe Samuel Lushaj. Apeli ka lënë në burg pa afat, Hamdi Dylin, pronarin që kishte lënë serat me qira, si edhe dy rojet Endrit Xheka dhe Blerim Xheka. Ndërkohë, 95 gratë që u kapën në sera duke punuar janë vënë nën hetim. 

Sa i përket kësaj çështjeje, ka një vendim të Prokurorisë së Beratit për të shpallur moskompentencë dhe për t’ia kaluar dosjen SPAK, pasi prokurorët kanë dalë në konkluzionin se ka dyshime se aktiviteti zhvillohej nga 2 grupe kriminale.

Pas zbulimit të serave në Dronovicës, ku u sekuestruan rreth 870 kg kanabis, drejtuesi i Policisë, Muhamet Rrumbullaku përjashtoi përjetësisht nga Policia e Shtetit 7 punonjës policie, të rangut të lartë drejtues. Ndëshkimit nuk i shpëtoi as drejtori i Policisë së Beratit, Edmond Tarkaj, i cili tashmë është i shkarkuar nga kjo detyrë, ulet një gradë më poshtë nga ajo që kishte “Drejtues i Parë” për 6 muaj dhe transferohet në Akademinë e Sigurisë.

Report Tv ka mësuar droga nuk ka qenë e mbjellë në serat e Kutallisë por dyshohet se ishte e mbjellë në malet e Skraparit. Droga kishte mbërritur në sera vetëm për paketim dhe amballazhim. Sera në fshatin Drenovicë të Beratit u zbulua gjatë një operacioni anti-drogë më 10 nëntor. Serat ishin të ndara në 4 pjesë, secila me një sipërfaqe prej 2 dynym. Në kontrollin e realizuar nga policia u kap një sasi prej 870 kg kanabis. Policia sekuestroi edhe 700 arka të mbushura me bimë narkotike kanabis në proces përpunimi.

‘Do vilnin ullinj’, si u morën ‘peng’ gratë për të punuar në fermën me kanabis
95 gratë nga Fushë-Kruja dhe Lezha, nuk ishin punëtore të zakonshme. Ato thanë se ishin mashtruar nga grupi kriminal se do të vilnin ullinj. Kur panë tjetër realitet, gratë u kërcënuan se do i vrisnin familjarët dhe në krye të tyre për t’i ruajtur ishin Drita dhe Izmira Mema, 2 gra organizatorë të rrjetit, të arrestuara nga policia. Gratë qëndronin ditë e natë në serën e shndërruar edhe në hotel dhe familjarë u thonin se do ktheheshin kur të mbaronin me mbledhjen e ullinjve. Me 5 mijë lekë pagesë ditore për punën me kanabisit, gratë e kërcënuara nga 16 në 65 vjeçe kishin zgjedhur të heshtnin. Pas kontrollit të ushtruar nga policia në çantat e tyre u gjendën sasi të konsiderueshme parash.

Disa prej anëtarëve të grupit, kryesisht rojet, të kërcënuar ashtu si gratë, para familjarë justifikoheshin duke thënë se punonin në Mal të Zi si ustallarë në ndërtim. Ata u kapën në flagrancë në ditën e fundit të punës. Policia kishte informacion për aktivitetin kriminal prej një muaji, ndërsa sipas tyre, nuk ka indicie të përfshirjes së efektivëve blu në këtë aktivitet, ndërsa është ende në kërkim organizatorit që kultivonte lëndët narkotike, identiteti i të cilit ende nuk bëhet me dije.

Masat e sigurisë
1-Jurgen Ujkaj, 'arrest shtëpie'
2-Bashkim Mema, 'arrest shtëpie'
3-Sidrit Bisha, 'arrest shtëpie'
4-Edison Mema, 'arrest shtëpie'
5-Mirvaldo Disha, 'arrest shtëpie'
6-Samuel Lushaj, 'arrest shtëpie'
7-Hamdi Dyli, 'arrest me burg'
8-Blerim Xheka, arrest me burg'
9-Endrit Xheka,'arrest me burg'
10- Drita Mema, 'detyrim paraqitjeje'
11- Izmira Mema, 'detyrim paraqitjeje'

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?