70-vjetori i Visar Zhitit, mbi gjysmë shekulli krijimtari në Bibliotekën Kombëtare, miqtë rrëfejnë poetin: Nga poezia e parë te arrestimi, na mësoi si jetohet dhimbja

5 Dhjetor 2022, 18:13| Përditesimi: 8 Dhjetor 2022, 20:13

  • Share

Është datëlindja e tij. 70 vite të poetit e shkrimtarit Visar Zhiti, mbushur me kontribut human e intelektual, kujtohen në Bibliotekën Kombëtare, përmes krijimtarisë ...

“Më emocionon prania këtu, fakti që jemi mbledhur, jo për vitet, por për të folur për librat”, thotë shkrimtari Visar Zhiti.

“Nuk ka asnjë dyshim për asnjërin prej nesh, që Visari, zë një vend krejt të veçantë në letërsinë shqipe. Do të zërë një vend të tillë”, thotë studiuesi Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Ekspozita me botimet e shkrimtarit, të shpie nga poezia e parë e botuar në vitin 1969 “Prapë”, tek më i fundit roman “Këpuca e aktorit”. Janë mbi një gjysmë shekulli të Visar Zhitit me letërsinë...

“Letërsia është një dëshmi dhe Visari është një nga dëshmitarët më të artikuluar, më të sinqertë, më të besueshëm dhe më të vlefshëm, krijimtaria e të cilit ndihmon që ajo përvojë e dhimbshme të mos përsëritet më”, shprehet më tej studiuesi Misha.

Deri në botimin e parë “Kujtesa e ajrit” në 1993 është një kohë e gjatë pritje për më shumë se tri dekada për poetin, fatin e të cilit e shënoi Plenumi i Katërt. Dorëshkrimi  “Rapsodia e jetës së trëndafilave”, që ai priste të botohej, në fakt e bëri autor të ndaluar, sepse sipas regjimit “ia nxinte faqen” realizmit socialist.

“U arrestua një poet dhe arrestimi i një poeti dhe në atë kohë bënte bujë, të paktën në ambiente të caktuara. Mbaj mend një prej poezive që u konsiderua subversive, kur e lexova kuptova se nuk kishte asgjë të tillë, ishte thjesht poezi dashurie” shton më tej Misha.

Poezia, letërsia e burgut në autorësinë e Visar Zhitit, përbën një gjurmë me peshë sa artistike edhe memuaristike, në letërsinë vendase.

“Kujtoj se Maks Velo fliste gjithmonë me pasion sa herë fliste për letërsinë e burgut dhe e konsideronte Visarin si një nga dëshmitarët e rrallë të kësaj letërsie”, thotë studiuesja Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit.

Jeta e Visar Zhitit si shkrimtar, degëzohet në mësuesinë e Hershme në Kukës, kontributin si  gazetar, diplomat, në politikë, përfaqësinë dinjitoze që i bëri së fundmi vendit në Vatikan si i ngarkuar me punë...

Në krah të tij, si ngaherë është edhe në këtë ditë të veçantë bashkëshortja Eda. Me letërsinë e besimin, duket se bëjnë një trini të shenjtë dashurie e force për të .

“Njohja ime me Edën dhe Visarin u thellua në një rast fatkeqësisht të dhimbshëm. Por, në të njëjtën kohë, munda të njohë dy njerëz të jashtëzakonshëm, që më mësuan shumë dhe mua si prift. Më mësuan shumë se si jetohet dhimbja, se si jetohet humbja, se si jetohet sakrifica”.

Eda dhe Visar Zhiti, janë zhvendosur së fundmi në Çikago, ku autori shkroi dhe më të fundit roman..

A.D/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?