7 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës, shqiptares së jashtëzakonshme që jetën ia përkushtoi të varfërve në gjithë botën

5 Shtator 2023, 07:29| Përditesimi: 5 Shtator 2023, 10:43

  • Share

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”. Këto janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, gruaja e jashtëzakonshme dhe shenjtorja e të varfërve të të gjithë botës e cila kurrë nuk e harroi origjinën e saj. Si sot 7 vite më parë, më 5 shtator 2016, nëna e madhe e të varfërve, fituese e çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore.

Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997. Murgesha 'u lumturua' në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë dhe humbi jetën në Kalkutë më 5 shtator 1997. Sot bëhen 26 vite që Nënë Tereza është ndarë nga jeta. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.

Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Ajo vazhdoi me vetmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qenie njerëzore të lindur apo jo.

Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 ajo bëri këtë apel: “Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret fëmijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?

Nënë Tereza ka shtëpinë e të parëve të saj në Tiranë. Një shtëpi dykatëshe, e rrethuar me kopësht, ndërtuar bri Kishës Katolike në kryeqytet, për më tepër se 17 vjet ka qenë selia e nënës, motrës dhe vëllait të Nënë Terezës.

Ora 15:56
Veliaj: Dita e përkujtimit ndaj veprës së ndritur, humane e hyjnore të Nënë Terezës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj përcolli mesazh në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

“Sot, kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës! Kjo është dita e përkujtimit ndaj veprës së ndritur, humane e hyjnore të Nënë Terezës, shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë”, shkruan Veliaj.

Misionarja shqiptare Agnes Gonxhe Bojaxhiu për më shumë se 45 vjet u shërbeu të varfërve, të sëmurëve dhe jetimëve.

Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare.

Ora 10:40
Basha: Jemi fatlumë që gëzojmë shenjtërimin e Nënë Terezës, simbolit shqiptar të dashurisë

Sot mbushen 7 vjet nga shenjtërimi i Nënë Terezës. Një mesazh për këtë ditë të shënuar ka përcjellë edhe kreu i PD Lulzim Basha i cili thotë se jemi fatlumë që gëzojmë në këtë ditë të shënuar për gruan që u bë simboli shqiptar i dashurisë.

“Jemi fatlumë, që gëzojmë sot shenjtërimin e Nënë Terezës, simbolit shqiptar të dashurisë për Zotin, e cila na krenon dhe motivon të veprojmë me dhembshuri në jetët tona, me përkushtim të madh veçanërisht për të varfërin, të pamundurin, të nëpërkëmburin.

Bekimi i Zotit dhe Shën Nënë Terezës qoftë me shqiptarët dhe familjet e tyre kudo ku janë”, shkruan Basha.

Ora 10:16
Ambasada e SHBA: Bota kremton jetën dhe punën e jashtëzakonshme të Nënë Terezës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përkujtoi sot Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Ambasada shkruan se kjo ditë na kujton vlerën e bamirësisë, vullnetarizmit dhe dhembshurisë për tjetrin.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, bota kremton jetën dhe punën e jashtëzakonshme të Nënë Terezës (Anjezë Gonxhe Bojaxhiu), misionares dhe murgeshës së famshme shqiptare, fitueses së çmimit Nobel për Paqe, shenjtores. Shqipëria sot kremton gjithashtu Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

Kjo ditë na kujton vlerën e bamirësisë, vullnetarizmit dhe dhembshurisë për tjetrin. Është kujtesë për ndikimin e pabesueshëm që ka dashuria dhe kujdesi për të tjerët, duke ndjekur shembullin e Nënë Terezës, e cila ia kushtoi jetën e saj njerëzve në nevojë.

 

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?