Sander Lleshaj, minister i Brendshem

7 deputetë të opozitës së re kërkojnë interpelancë me ministrin Lleshaj: Jep sqarime për punën e policisë përballë krimit

7 Shkurt 2020, 16:44| Përditesimi: 7 Shkurt 2020, 16:56

  • Share

TIRANË - 7 deputetë të opozitës së re kërkojnë interpelancë urgjente në parlament me ministrin e Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, pasi gjykojnë se ai duhet të japë sqarime për situatën e rëndë kriminale në vend dhe ngjarje e pazbuluara.

"Kërkohet një informacion për punën e dobët të policisë për zbulimin dhe parandalimin e krimeve. Marrëdhëniet polici-publik dhe sa ndikon depolitizimi i policisë në rastet e shkeljeve të ligjit. Aktualisht kemi një situatë të rëndë kriminale ku janë evidentuar raste të shumta, vrasje, rrëmbime, grabitje, kërcënimi, tritole, etj, në Vlorë, Shkodër, Elbasan, Tiranë, Lushnje, etj. Kërkohet informacionet për punën e policisë në këto raste", thuhet në kërkesën e deputetëve për interpelancë me ministrin Lleshaj.

Ndër të tjera, në interpelancën e cila thuhet se do të parashtrohet nga deputeti Lefter Maliqi, përmenden edhe veprimet e policisë në disa protesta të fundit të ndodhura në Tiranë, siç është ajo e banorëve tek "Bregu i Lumit" dhe në zonën e Astirit, për prishjen e banesave në kuadër të projekteve zhvilluese. "Tejkalimi i kompetencave të policisë dhe përdorimi i gazit lotsjellës ndaj banorëve të zonave të ashtuquajtura "Bregu i Lumit" të Astirit, etj kundër familjarëve dhe pleqve, fëmijëve, grave. Në cilin ligj është mbështetur policia për të përdorur forcën dhe këto mjete dhe çfarë urdhri është dhënë në këto raste", kërkojnë sqarime deputetët e opozitës së re.

Ata kërkojnë sqarime nga ministri Lleshaj, edhe lidhur me "akuzat e policisë ndaj gjykatës, si dhe aksidentet e shumta dhe masat e marra nga policia rrugore. Masat e marra dhe rezultatet e policisë ndaj kultivuesve të drogës dhe trafiqeve, roli i policisë kufitare në pikat doganore dhë në vijën bregdetare", thuhet në kërkesën për interpelancë.

Në përfundim ata e mbyllin duke kërkuar nga ministri i Brendshëm edhe sqarimet e tij për procesin e vettingut në polici dhe "çështje të tjera që kanë të bëjnë me rendin, sigurinë në vend".

Deputetët që kanë firmosur janë: Lefter Maliqi, Artur Roshi, Besnik Troplini, Ramazan Gjuzi, Fatjona Dhimitri, Halil Jakimi dhe Kostaq Papa. Kërkesa është depozituar në Kuvend, drejtuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi.

Kërkesa për interpelancë me ministrin Lleshaj

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?