Gazment Bardhi

7 deputetë të PD-së kërkojnë anulimin e zgjedhjeve për kryetar, Bardhi mbledh online me 27 korrik Këshillin Kombëtar

25 Korrik 2023, 12:05| Përditesimi: 25 Korrik 2023, 16:01

  • Share

TIRANË- Në një kohë kur një pjesë e Partisë Demokratike të vulës vijon përgatitjet për zgjedhjen e kryetarit të ri, e me shumë gjasë rikthimin e Lulzim Bashës, një pjesë tjetër, konkretisht 7 deputetë, kërkojnë anulimin e zgjedhjeve.

Kështu dy ditë para zgjedhjeve për kryetar të PD-së, pra me datën 27 korrik, sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi bën me dije se do të mbledhë Këshillin Kombëtar të PD-së, pas kërkesës së 7 deputetëve për anulimin e zgjedhjeve për kryetar. 7 deputetët të cilët kërkojnë anulimin e zgjedhjeve brenda PD-së janë Bledion Nallbati, Lefter Gështenja, Dashnor Sula, Xhelal Mziu, Helidon Bushati, Sajmir Korreshi dhe Ramadan Likaj. Këta të fundit pretendojnë se partia nuk është pronë.

Mbledhja parashikohet të mbahet në orën19:00, ndërsa në njoftimin e bërë publik për mediat sqarohet se Bardhi e ka thirrur mbledhjen bazuar në kompetencat që i njeh Statuti, që kur partia është pa kryetar, Statuti parashikon që është Sekretari i Përgjithshëm ai që ka të drejtën të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Bëhet e ditur se mbledhja parashikohet që të zhvillohet online dhe për organizimin e saj Sekretari i Përgjithshëm ka ngarkuar Sekretariatin e Këshillit Kombëtar.

Brenda Partisë Demokratike zyrtare ka nisur lufta e dytë për vulën e partisë, kësaj radhe bëhet fjalë për përdorimin e vulës, ku palët po luftojnë se kush do mbajë kompetencat e përdorimit. Kryesia e Partisë Demokratike me një vendim të marrë më datë 18 korrik 2023, ka vendosur që vulën e partisë t’ia marrë sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhit dhe t’ia kalojë kompetencën për prodhimin dhe përdorimin e saj, sekretarit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Indrit Sefës.

Ky vendim u firmos nga 15 anëtarë të Kryesisë së demokratëve, ndërsa vihet re se Oriola Pampuri ka hedhur firmën dy herë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se ky vendim ka ardhur për shkak të situatës së krijuar për procesin zgjedhor të 29 korrikut, pasi nuk vuloseshin dokumente të domosdoshme për këtë proces.

Tashmë kjo është ‘lufta’ e dytë mes demokratëve për çështjen e vulës. Përveç betejës më grupin e Sali Berishës prej gati 2 vitesh, nis një tjetër përplasje brenda vetë PD zyrtare se kush do marrë përdorimin e vulës. Në betejën mes Rithemelimit dhe PD-së, Gjykata e Apelit vendosi më 3 mars 2023 rrëzimin e vendimit të Agron Zhukrit (që i dha vulën e PD-së Sali Berishës) dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në shkallë të parë me trupë tjetër gjykuese. Pas këtij vendimi, vula, sigla, logoja e Partisë Demokratike i mbetën PD zyrtare, por një tjetër luftë u nis mes dy kampeve të krijuara brenda PD-së.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?