Bota

68 vjetorin e armëpushimit me Korenë e Jugut, Kim Jong Un e feston me fishekzjarre dhe paradë ushtarake

28 Korrik 2021, 13:13| Përditesimi: 28 Korrik 2021, 13:16

  • Share

Kim Jong Un ka festuar me shumë pompozitet 68-vjetorin e përfundimit të Luftës së Koresë me një paradë ushtarake ku morën pjesë edhe mijëra veteranë.

Qielli në Penian u ndriçua nga fishekzjarrët ndërsa të gjithë bënë homazhe para monumentit përkujtimor të asaj që koreano-veriorët e quajnë Lufta për Çlirimin e Atdheut.

Por ndryshe nga viti i kaluar, ai nuk përmendi sistemin bërthamor të  vendit.

Sipas mediave shtetërore, Kim tha se forcat e Veriut janë plotësisht të gatshme për t'u marrë me çdo kërcënim, por ai nuk kishte ndonjë mesazh të drejtpërdrejtë për Jugun ose SHBA.

Festa përkujtoi ditën kur u firmos edhe armëpushimi që i dha fund Luftës së Koresë, konflikt gjatë të cilit Veriu mbështetej nga Kina ndërsa Jugu nga Shtetet e Bashkuara. Konflikti zgjati nga viti 1950 deri në vitin 1953.

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar thuajse 7 dekada, armëpushimi nuk është zëvendësuar me një traktat paqeje dhe gadishulli korean është teknikisht ende në gjendje lufte.

Në ditët e fundit të dy shtetet njoftuan se liderët Kim Jong Un dhe presidenti koreano-jugor Moon Jae-in kanë shkëmbyer disa herë letra me njëri-tjetrin që prej muajit prill, ku kanë vendosur të rinisin kanalet e komunikimit.

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?