INSTAT: 66% e të punësuarve në vend nuk arrijnë pagën mesatare! Inflacioni i lartë, rritjet e rrogave kanë efekt të papërfillshëm

17 Shtator 2022, 20:22| Përditesimi: 17 Shtator 2022, 20:40

  • Share

Pagat e punonjësve në Shqipëri mbeten thuajse në vend numëro, edhe pse shumë sektorë tashmë po vuajnë mungesën e punonjësve, që nga profesionet elementare deri tek të kualifikuarit.

Edhe pse rroga mesatare në krahasim me vjet në tremujorin e dytë të vitit është rritur përafërsisht me 4 mijë lekë, efekti i saj në xhepin e qytetarëve thuajse nuk ndjehet për shkak të inflacionit të lartë

Pagat e ulta në kohën e krizës së çmimeve, e bëjnë edhe më të vështirë koston e jetesës për qytetarët shqiptar, në kushtet kur vetëm rritja e çmimeve të ushqimeve është 8.7% në tremujorin e dytë, e ndërsa për karburantin rritja shkon deri në 23.7%.

Sipas raporteve të mëparshme të INSTAT dhe të Bankës Botërore familjet shqiptare rreth 40% të buxhetit të tyre e shpenzojnë për ushqime, shifër që pritet të rritet edhe më tej gjatë këtij viti.

Pavarësisht sinjaleve pozitive nga biznesi për të rritur pagat e punonjësve, si një masë kryesore për frenuar largimet nga puna, sipas të dhënave të INSTAT, rreth 66% e të punësuarve në Shqipëri nuk e arrijnë rrogën mesatare, që deri në fund të qershorit ishte 60.666 lekë.

Më konkretisht 23% e të punësuarve në vend marrin pagë minimale që prej prillit është 32 mijë lekë, ndërsa 20% e tyre paguhen nga 32-40 mijë lekë. Më tej janë 22.8% e qytetarëve që kanë rroga nga mbi 40 mijë lekë deri në 60 mijë lekë.

D.GJ//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?