500.000 lekë shpërblim për
Çmimin “Onufri” në 20-vjeto

4 Dhjetor 2013, 07:41| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- 500 mijë lekë do të jetë shpërblimi për fituesin e “Onufrit 2013”, i cili vjen në edicionin e tij të 20-të në Galerinë Kombëtare të Arteve Tiranë. Si një nga edicionet ndërkombëtare më jetëgjatë të këtij institucioni, në këtë 20-vjetor janë ngritur standarde të reja të organizimit dhe konceptit kuratorial, pohojnë organizatorët. Kuratori Claudio Cravero ka ardhur disa herë në Shqipëri dhe njeh jetën artistike të vendit, ndaj dje ai është shprehur për gazetën se është shumë i kënaqur që do të jetë kurator në vendin tonë. Cravero do ketë asistent në përzgjedhjet e konkurruesve artistin shqiptar Olson Lamaj. “Klaudio është pjesë e sistemit të artit, është një kurator i vlerësuar në sistemin muzeal të artit dhe galerive”, shprehet drejtori i Galerisë Kombëtare Artan Shabani.

Ndërsa kuratori Cravero mendon se surprizat e edicionit të 20-të do të jenë në momentin e zgjedhjeve të punëve për konkursin, ai bënë të qartë konceptin e këtij konkursi “Elozh dyshimit”, me të cilin prek një aspekt filozofik të kohës sonë. Claudio do të përzgjedh pikërisht ato vepra që i vijnë për shtat vizionit tematik. Ai i njeh artistët shqiptarë, jo vetëm nga ato pak vizita që ka bërë në Shqipëri, por edhe nga kontaktet me ata nëpër galeritë e botës.

Konkursi “Onufri” organizohet çdo vit nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe mban emrin e ikonografit të shquar shqiptar mesjetar, Onufrit. Edicioni i 20-të i fokusohet tek tema “Elozhe Dyshimit”, konceptin e së cilës kuratori Claudio Cravero e sheh tek të dyja anët e medaljes së gjendjes dyshuese të njeriut, të mirën dhe të keqen. Kuratori nga gjitha prurjet do të përzgjedh deri në 12 artistë, veprat e të cilëve do të ekspozohen ne ekspozitën me temë “Elozhe Dyshimit” që do të hapet në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Kuratori Caludio Cravero ka udhëhequr kërkimet dhe aktivitetet publike për shumë institucione kulturore, të tilla si Castello di Rivoli - Museum of Contemporary Art (2004-2006); Bashkia e Torinos, Departamenti i Kulturës për projektin Art Publik në Hapësira Publike; Instituti i Kulturës Italiane ne Neë York. Ndërkohë organizatorët pohojnë se Çmimi Onufri është i hapur për të gjithë artistët pa marrë parasysh kombësinë. Të gjitha mediumet dhe teknikat janë të lejuara. Ekspozita do të hapet më 26 Dhjetor 2013 dhe do të qëndrojë e hapur deri në datën 2 Shkurt 2014. Çmimi ONUFRI ka një shpërblim prej 500.000 lekësh. Fituesi do të shpallet me datë 30 Janar 2014 në Galerinë Kombëtare të Arteve.
 
Kushtet e konkursit
Afati i fundit për aplikim: 10 Dhjetor 2013.
I hapur për të gjithë artistët e të gjithë kombësive dhe për të gjitha gjinitë e pikturës.
Ekipi kuratorial:
Claudio Cravero (kurator)
Olson Lamaj (asistent kurator)
 
Shkrimi u publikua sot (04.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?