5 vite punë e detyruar për studentët e Mjekësisë, debate te 'Shëndetësia', Kushi: Frenojmë largimet! Opozita: Mos e kaloni me procedurë të përshpejtuar, ta disktojmë

11 Korrik 2023, 12:52| Përditesimi: 11 Korrik 2023, 21:26

  • Share

TIRANË- Me debate mes opozitës dhe mazhorancës është zhvilluar ditën e sotme mbledhja me Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka prezantuar projektligjin e qeverisë që detyron studentët e mjekësisë të punojnë 5 vite në Shqipëri dhe më pas do marrin diplomën, ose do duhet të paguajnë koston reale të studimeve. Kushi tha se ky projektligj vjen për dy arsye, për të plotësuar nevojat e institucioneve tona për mjekë, si edhe për të motivuar mjekët që të vazhdojnë të kontribuojnë për Shqipërinë.

“Së pari për të gjetur mekanizma të rinj, për të motivuar mjekët që të vazhdojnë të punojnë dhe kontribuojnë në Shqipëri dhe së dyti për të plotësuar nevojat për mjekë në institucionet tona shëndetësore dhe për të bërë një shpërndarje të drejtë në të gjithë vendin”, tha Kushi.

Opozita e konsideron këtë projektligj si një detyrim për studentët dhe në shkelje të Kushtetutës. Ajo i bëri ftesë mazhorancës që të mos e kalojnë projektligjin me procedurë të përshpejtuar, por të ulen ta diskutojnë, të dëgjojnë dhe studentët apo edhe propozimet e opozitës.

“Jemi të gatshëm të ulemi për një strategji afatgjatë. Edhe për këtë projektligj jemi të hapur, mos e kaloni me procedurë të përshpejtuar, hajde bëjmë konsultime, të japim propozimet tona, edhe studenti të ketë fjalën e tij, por edhe qytetarët shqiptarë të marrin atë shërbim shëndetësor që nuk e kanë marrë deri më sot”, tha Vokshi.

Por, ministrja Kushi tha se duhet miratuar për këtë vit akademik dhe se nuk mund të humbasin edhe një vit pasi vendet e Bashkimit Europian po lehtësojnë gjithnjë e më shumë procedurat dhe se duhet të parandalojnë largimin e mjekëve. Ndërsa theksoi se nuk po detyrojnë studentët, por ata janë vendosur përpara një zgjedhje, nëse nuk do të punojnë 5 vite do duhet të paguajnë koston reale të studimeve.

“Nëse e bëjmë pas një viti, gjermania ka liberalizuar procedurat, mund të nxiten mjekët për të shkuar drejt vendeve. Ne s’po mbajmë asnjë mjek me detyrim. Do zgjedhë vetë ai nëse e nënshkruan marrëveshjen ose jo, nëse nuk e nënshkruan do paguajë koston”, u shpreh Kushi.

Nga ana tjetër, relatorja e Komisionit, Zheni Gjergji propozoi që puna e detyruar të bëhet 3 vite në mënyrë që të mos penalizohen studentët.

“Forca e kartonëve është në favorin tuaj, propozoj që kjo kohë të jetë 3 vjet, që ne mos ti sanksionojmë kaq gjatë studentët tonë, në ju me forcat e kartonin do e kaloni më 20 këtë projektligj”, tha Gjergji.

Ministrja tha se për të plotësuar nevojat për mjekë, synohet që në vitin 2024 të shkohet në 500 kuota në Universitetin e Mjekësisë, ndërkohë që renditi edhe vendet ku mjekët po largohen më shumë.

“Mbizotëron largimi drejt Gjermanisë, SHBA-së, Kanadasë, Italisë dhe Britanisë së Madhe. Pra shkalla e emigrimit vlerësohet të jetë 19.8%, pra rreth 20 %. Që do të thotë në çdo 10 mjekë të rinj, dy prej tyre largohen drejt vendeve të huaja. Para pak vitesh kuotat kanë qenë 250 për vitin e parë në Fakultetin e Mjekësisë, UMT, ndërkohë që me rritjen graduale vit pas viti ne synojmë që në vitin 2024 këto kuota të kapin vlerën 500. Pra 500 kuota regjistrime në vitin e parë në universitetin shtetëror”, tha Kushi.

Kushi shpjegoi se pasi studentët të kalojnë provimin e dixhitalizuar, do duhet të nënshkruajnë marrëveshjen me qeverinë për të punuar në vendin tonë për 5 vite. Ndërkohë, për studentët që aktualisht vazhdojnë studimet, ministrja tha se ata nga viti i parë deri në të katërt do duhet të punojnë në Shqipëri për 3 vjet, ndërsa ata që janë në vitin e pestë dhe të gjashtë do duhet të punojnë 2 vjet me detyrim për të tërhequr më pas diplomën, ndryshe do paguajnë koston reale të studimeve të tyre në Shqipëri.

“Projektligji parashikon që studentët ose më saktë kandidatët për studentë që kanë fituar tashmë të drejtën, bëhet fjalë kur të fitojnë të drejtën në muajin gusht, pas konkursit, sepse siç e dini është shtuar edhe provimi i digjitalizuar përveç rezultateve në tre vitet e studimeve në gjimnaz, por edhe provimeve të maturës, ne kemi shtuar në muajin gusht edhe provimin e digjitalizuar që do të ketë peshën 30% në renditjen e përgjithshme.

Dhe të gjithë ata kandidatë, ata maturantë që do të fitojnë të drejtën për tu regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë, përpara regjistrimit do të nënshkruajnë një marrëveshje me MSHMSH, MAS dhe UMT, për të pranuar që të punojnë 5 vite pas diplomimit në institucionet shëndetësore shqiptare dhe për të tërhequr më pas diplomën pas përmbushjes së këtij detyrimi”, vijoi ministrja. 

Në fund të diskutimeve, projektligji u miratua në parim me votat e socialistëve. Projektligjiu propozua disa ditë më parë u shoqërua me protesta dhe kundërshtim nga studentët e mjekësisë. Ky ligj parashikon punësim të menjëhershëm të studentëve si dhe lehtësim për përfshirje në strehimin social. 

Ora 13:53
5 vite punë e detyruar për studentët e mjekësisë, Kushi i përgjigjet opozitës: Nuk presim dot edhe një vit, vendet e BE po lehtësojnë procedurat

 

Ministrja Evis Kushi i është përgjigjur opozitës e cila thotë s epo detyrojnë studentët e mjekësisë që të punojnë në Shqipëri pa dëshirën e tyre. Kushi tha se nuk po detyrohen, por ata duhet të zgjedhin nëse do punojnë 5 vite, ose në të kundërt të paguajnë koston reale. Kushi tha se nuk shkelet Kushtetuta, pro po i vendosin studentët përballë një zgjedhjeje. Ndërkohë, kërkesave të opozitës që të shtyhet miratimi i projektligjit, Kushi tha se nuk mund të presin edhe një vit pasi vendet e BE po lehtësojnë procedurat për tërheqjen e tyre.

"Nuk ka asnjë detyrim, dua të jemi të ndershëm deri në fund. Askush nuk detyrohet, çdo student është vënë para zgjedhjes, ose pranon alternativën e parë, ose të dytën, ose lehtësitë i pranon, ose jo. Askush nuk detyrohet. Ju pretendoni si diktaturë që do i çoni në veri në fshatra, askush nuk detyrohet as për studentët. Me gjeni ku është neni që i diplomua detyrohet. Kushtetua është respektuar në çdo gërmë. Ligji është me emergjencë, ose tani ose pas një viti. Nëse e bëjmë pas një viti, gjermania ka liberalizuar procedurat, mund të nxiten mjekët për të shkuar drejt vendeve. Ne s’po mbajmë asnjë mjek me detyrim. Do zgjedhë vetë ai nëse e nënshkruan marrëveshjen ose jo, nëse nuk e nënshkruan do paguajë koston. Ne sot i mbulojmë nevojat për mjekë më mirë se disa vite më parë, por kemi detyrim ti paraprijmë emergjencës nga jashtë. Kjo është arsyeja pse duhet të nxitojmë, në mënyrë që të fitojmë një vit kohë. Nuk e miratojmë dot në tetor ose nëntor, se do hyjë në fuqi pas një viti”, tha Kushi.  

Ora 13:47
Punë e detyruar për studentët e mjekësisë, opozita kërkesë qeverisë: Ta bëjmë 3 vite dhe jo 5

Kryetarja e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Zheni Gjergji ka propozuar s enës e projektligji që detyron studentët të punojnë në vendin tonë me procedurë të përshpejtuar, propozon që koha e punës të jetë 3 vite dhe jo 5 vite, siç është parashikuar.

“I bashkohem thirrjes së Vokshit që ta leni kohë më shumë për ta diskutuar më shumë këtë ligj, se mund ta aplikoni edhe më vonë si për studentët e vit të dytë. Forca e kartonëve është në favorin tuaj, propozoj që kjo kohë të jetë 3 vjet, që ne mos ti sanksionojmë kaq gjatë studentët tonë, në ju me forcat e kartonin do e kaloni më 20 këtë projektligj. Nëse do të ketë një alternativë ne do iu kërkonim që kjo kohë të ulej në tre vjet”, tha Gjergji.

Ora 13:32
5 vite punë e detyruar për studentët e mjekësisë, Vokshi-mazhorancës: Mos e kaloni me procedurë të përshpejtuar, jemi të hapur për diskutime

 

Deputetja demokrate Albana Vokshi i bëri thirrje qeverisë që të mos e kalojnë me procedurë të përshpejtuar projektligjin që detyron studentët e mjekësisë të punojnë 5 vite në vendin tonë. Vokshi tha se opozita është e gatshme për diskutime, por nëse projektligji nuk kalon me procedurë të përshpejtuar, por të bëjnë konsultime me studentët e mjekët, si edhe opozita të japë propozimet e tyre. Vokshi tha se nuk qeveria nuk mund t’ia faturojë studentëve dështimin në sistemin shëndetësor.

"A i keni parë kushtet e qendrave shëndetësore, spitaleve, në gjendje katastrofike. Prandaj nuk shkojnë atje, ai bonusi nuk i tërheq, se s’ka kushte, mjete, pajisje. Na tha zv.ministrja që është përmirësuar cilësia e shërbimit. Dua ti kujtoj ministres, nuk e di nëse e ka lexuar një reportazh të BIRN. Në mars kishte bërë një reportazh pse mjekët ikin, kishte marrë rastin e spitalit në Burrel, nuk kishte gjinekolog në spital, nuk kishte anestezist. I kishte ardhur koha për të lindur, anestezist nuk kishte. Ka lindur pa anestezis dhe humbi tre fëmijët. Ajo mbeti përsëri shtatzënë, në spitalin e matit nuk kishte sërish gjinekolog dhe anestezist. Do dështojë dhe pse do dështojë. Ju po e shkelni parimin e sigurisë, ai ka nënshkruar tjetër marrëveshje me ju, jo ketë. Ai ka hyrë me kushte të tjera, që pasi të mbarojë universitetin, do diplomohej, mund të kenë aplikuar në vende të tjera. Ju po i rrëzoni të gjitha ëndrrat, në mënyrë brutale e kriminale dëshirat e tyre, plane për jetën. Doni të mbani peng 5 vite të jetës së tyre. Pse gjithë dështimet në shëndetësi doni t’ia ngarkoni studentëve. Është dështim spektakolar. Që ditën e premte të nisim me dëgjesa e studentëve, nuk mundet të vendosim ne me detyrim për të ardhmen e të rinjve.

Jem të gatshëm të ulemi për një strategji afatgjatë, që ti mbajë mjekët, që paratë të mos shkojnë për kontrata sekrete dhe në kushte pandemia. Edhe për këtë projektligj jemi të hapur, mos e kaloni me procedurë të përshpejtuar, hajde bëjmë konsultime, të japim propozimet tona, edhe studenti të ketë fjalën e tij, por edhe qytetarët shqiptarë të marrin atë shërbim shëndetësor që nuk e kanë marrë deri më sot. Masa të tilla do të dëshirojnë, tërhiqeni dhe të hapim diskutime, të marrim kohën e duhur dhe të arrijmë në një projektligj që edhe ne ta votojmë. Është një ftesë që i bëjmë maxhorancës, i kërkojmë vetëm kohë dhe diskutime", tha Vokshi. 

Ora 13:22
5 vite punë e detyruar për studentët/ Ministrja Kushi: Sot nuk jemi në emergjencë, por detyra jonë është t’i paraprijmë

 

Ministrja Kushi u është përgjigjur akuzave të opozitës në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë se vendi është në krizë për mjekë. Kushi tha se sot nuk jemi në emergjencë, por detyra e qeverisë është që t’i paraprijë një situate të tillë.

“Ne nuk jemi tani në emergjencën ekstreme, por ne kemi parë statistikat,  ne kemi parë shifrat dhe nëse trendi do të jetë i tillë atëherë pas pak vitesh mund të jemi në atë emergjencë, në atë kolaps. Por ne nuk mund të reagojmë atëherë, sepse ne e dimë që shkollimi diplomimi, për mjekësi është i gjatë. Minimumi 6 vite. Pra ne nuk mund të reagojmë pas 6 viteve, sepse atëherë do të jetë shumë vonë dhe politika jonë nuk do të ketë efekt. Ne duhet ti paraprimë që tani dhe prandaj ne e sjellim tani këtë projektligj në mënyrë që nesër të mos jetë vonë. Por natyrisht nuk e kemi politikë të cunguar. Kjo politikë është e shoqëruar me një sërë mekanizmash të tjerë për ti motivuar mjekët që të punësohen dhe të japin kontribut. Thatë që standardi ka ardhur  në ulje, jo nuk ka ardhur standardi të rënie, standardi ka ardhur në rritje. Kjo shifra që ka qenë  1.2 siç e tha zëvendësministrja ka ardhur në rritje vit pas viti dhe jemi 1.93 mjekë për 1000 banorë, por prapë jemi mbrapa, prapë jemi më poshtë se vendet e rajonit dhe vendet e OECD. Këto janë statistikat zyrtare të ministrisë së shëndetësisë. Sot jemi 1.93, të arrijmë 2.6 dhe pse jo 3.6, kjo është një arsye më shumë.”

Ora 13:14
Kushi për largimin e mjekëve nga vendi: Nuk ikin nga cedimi i sistemit, por vendet e BE-së i kërkojnë çdo ditë, i pranojnë edhe pa ua njohur diplomat

 

Në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ministrja Kushi është ndalur edhe tek shkaqet e largimit të mjekëve nga Shqipëria. Ajo thekson se shkak i kësaj nuk është cedimi i sistemit, por nevoja e vendeve të BE-së për mjekë dhe liberalizimi i të gjitha procedurave për t’i punësuar mjekët që vijnë nga vendet e tjera.

“Tani, pse largohen mjekët?! U përmend disa herë se mjekët largohen sepse ky është një cedim i sistemit. Në fakt ne biem dakord që kemi ende shumë punë për të bërë. Që kemi problematika, patjetër që kemi. Ndërkohë janë bërë shumë punë, shumë përparime, ka shumë zhvillim. Që duhet të bëjmë akoma, patjetër. Por arsyeja kryesore, ju e thatë edhe vetë në fjalët tuaja, është që vendet e BE-së kërkojnë çdo ditë mjekë. 
I kanë liberalizuar të gjitha procedurat për t’i punësuar mjekët që vijnë nga vendet e tjera. Edhe para 10 vjetësh, 15 vjetësh, 5 vjetësh kishte mjekë apo edhe qytetarë që donin të shkonin drejt këtyre vendeve. Sepse ne nuk mund ta konkurrojmë as Gjermaninë, SHBA-në, sado t’i rrisim pagat apo mirëqenien.

Por, sot ata shkojnë dhe janë të sigurt që menjëherë u ofrohet një vend pune, madje edhe pa njohur diplomën.  Ju e thatë vetë që qytetarët e vendeve të BE-së nuk duan më të studiojnë më për mjekësi sepse është një shkollë e vështirë, sepse kërkojnë gjëra më të lehtë. Pra ata janë në krizë.  Kjo sigurisht që i tundon mjekët tanë për një jetë më të mirë, një nivel page më të lartë. Ne sigurisht që i kemi rritur pagat. Por arsyeja, nuk është se çedoi sistemi. Sistemi është më i mirë se ai që kishim, por numri i largimeve është rritur sepse çdo ditë në gazetat e vendeve të BE-së ka njoftime, kërkohen punonjës në fushën e shëndetësisë, në fushën e IT, etj.”

Ora 13:12
5 vite punë e detyruar për studentët/ Deputetja e PD: Ikin se çedon sistemi shëndetësor, ça ka bërë qeveria në këto vite për të frenuar largimet

1689073143_komision.jpg

Deputetja e PD-së, Ilda Dhori mbështeti protestat e studentëve, teksa foli në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ku po diskutohej projektligji i qeverisë që detyron studentët e mjekësisë të punojnë 5 vite në Shqipëri dhe më pas do marrin diplomën, ose do duhet të paguajnë koston reale të studimeve.

Dhori tha se studentët ikin pasi çedon sistemi shëndetësor duke shtuar se qeveria duhet të marrë masa të tjera për të kuptuar se ku e ka zanafillën, fenomeni i eksodit të mjekëve.

“Mendoj që për të korrigjuar këtë largim masiv, për të marrë masa konkrete, që do të kenë efekte motivuese, duhet të shohim në thelb problemin. Se pse largohen këta mjekë? Studentët që do të nisin studimet këtë vit, dhe do të diplomohen. Ata ikin se çedon sistemi. Mediat e kanë bërtitur dhe thirrur me të madhe, që kemi largime në sistemin shëndetësor. Çfarë ka bërë qeveria në këto vite? Ka mbyllur sytë duke thënë se është problem global. Në 8 vitet e fundit gjysma e këtyre mjekëve janë larguar, ata ofrojmë kapacitetet e tyre profesional jashtë vendit. Ne kemi investuar për këta mjekë, dhe ata e kanë ikur. Protestat e studentëve janë të drejta, pasi po mbrojnë të drejtën e tyre për t’u arsimuar në publik.”, tha Dhori.

Ora 13:06
5 vite punë e detyruar për studentët e mjekësisë, Rakacolli: Sigurojmë shërbim në sistemin shëndetësor

1689073130_kushhi.jpg

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakcolli ishte e pranishme në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ku po diskutohej projektligji i qeverisë që detyron studentët e mjekësisë të punojnë 5 vite në Shqipëri dhe më pas do marrin diplomën, ose do duhet të paguajnë koston reale të studimeve. Në fjalën e saj Rakacolli tha se ky projektligj synon që sistemi ynë shëndetësor të mos mbetet pa mjekë.

“Ata që duan të studiojnë mjekësi, duhet të bëjnë kontratat e tyre. Në lidhje me arsyen se për kërkohet të bëhet ky ligj, në bazat tona shëndetësore, do të thotë; sigurim shëndetësor i aksesueshëm për vendet ku jetojmë. Në çdo pikë të vendit ka qendra shëndetësore, nga jugu në veri. Janë vënë politika meritokracie në punësim. Në vitet e fundit janë punësuar 1200 mjekë, janë rritur pagat. Nuk jemi te ato shifrat e frikshme, pasi shifrat e mjekëve për banorë, kanë ardhur në rritje. Ne mendojmë për të ardhmen, ndaj aspirojmë drejt shifrave të BE. Nuk është vetëm kjo politike që do të sigurojë ardhjen e mjekëve, por që nga shtimi i kuotave, në përmirësimin e kushteve dhe pagave. Ajo që po bëjmë ne sot është që t’i sigurojmë të ardhmen përmes sistemit shëndetësor qytetarëve. Ne duam që të shkojmë te ato shifrat që tha dhe zonja Kushi.”, tha Rakacolli.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?