5 këshilla të arta për intervistë pune

12 Janar 2016, 11:07| Përditesimi:

  • Share
Zyrat e këshillimit  në fushën e punësimit në Amerikë, vazhdimisht dalin me platforma që ndihmojnë gjithë punëkërkuesit në  botë. Dhe momenti i intervistës së punës është thembra e Akilit. Ç’do të thotë të përgatitesh për intervistën?  Shumë prej zyrave të këshillimit japin këto orientime.
 
Hapi i parë, informohu!
Pikësëpari mund të marrësh ca të dhëna për kompaninë ku kërkon punë. Sa më shumë të dish për atë kompani, aq më tepër do të lësh përshtypje të mirë gjatë intervistës. Gjithashtu, këto informacione të ndihmojnë të kuptosh nëse ajo kompani ka vërtet punën që dëshiron dhe nëse do të doje të punoje atje.

Hapi i dytë, zgjidh veshjen!
Mendo se çfarë do të veshësh gjatë intervistës. Nëse po kërkon ndonjë punë krahu, vish rroba të përshtatshme, të rregullta e të pastra. Veshja dhe paraqitja e rregullt i tregojnë punëdhënësit se ke respekt për veten, e kështu ka shumë të ngjarë të kesh respekt edhe për punën. Nëse po kërkon punë zyre, zgjidh një veshje modeste që në vendin tënd konsiderohet e përshtatshme për zyrtarët. Po ashtu, zgjidhini rrobat shumë kohë përpara intervistës, që të mos jeni me ngut dhe të mos ia shtoni më kot stresin vetes para intervistës.
 
Hapi i tretë, paraqitu në kohë!
Kur ke një intervistë, duhet të shkosh 15 minuta përpara. Sigurisht, nuk ka pse të arrish tepër herët. Por vonesa mund të të prishë punë. Specialistët thonë se tri sekondat e para të intervistës janë vendimtare. Gjatë kësaj kohe të shkurtër, intervistuesi bën vlerësime për paraqitjen dhe sjelljen tuaj, dhe këto ndikojnë shumë në mendimin që krijon për ju. Nëse shkon me vonesë, do t’i ulësh shumë pikë vetes. Mos harro, nuk ka një mundësi të dytë për të ndrequr përshtypjen e parë që krijon dikush për ty.
Gjithashtu, mbaj mend se intervistuesi nuk është armiku yt. Në fund të fundit, edhe atij i është dashur të bëjë kërkesë për punën e tij, pra e di mirë se si ndihesh. Mbase është i emocionuar, pasi mund të jetë hera e parë që drejton një intervistë ose ka pak përvojë në këtë gjë. Veç kësaj, nëse intervistuesi është punëdhënësi, mund t’i kushtojë shumë nëse nuk zgjedh njeriun e duhur.
 
Hapi i katërt, buzëqesh!
Që ta nisësh mbarë, buzëqesh dhe jepi dorën intervistuesit, nëse ky është një zakon. Gjatë intervistës përqendrohu në ato që pret punëdhënësi nga ti dhe në zotësitë e tua. “Mos bëni lëvizje nervoze, as mos rrini kërrusur si të plogësht. Një paraqitje e mirë tregon siguri te vetja. Mos jini të shkujdesur në të folur, mos flitni tepër dhe mos përdorni absolutisht fjalë vulgare. Gjithashtu, mos flitni keq për punëdhënësit ose kolegët e mëparshëm. Po të flitni keq për ta, ka mundësi që punëdhënësi të mendojë se nuk do të flitni mirë as për punën që do t’ju japë ai”, këshillojnë ekspertët.
 
Hapi i pestë, përqendrohu në bisedë!
Lidhur me gjërat që duhet të bësh dhe duhet të thuash gjatë intervistës, specialistët këshillojnë: shihe në sy intervistuesin, fol qartë dhe bëj gjeste të natyrshme. Jepu përgjigje të përmbledhura dhe të ndershme pyetjeve që të bëhen. Bëj pyetje të përshtatshme për kompaninë dhe punën e ardhshme. Në fund të intervistës, nëse e dëshiron ende këtë punë, kërkoje. Kjo kërkesë do të tregojë se je entuziast.
 
Duke ndjekur sugjerimet e mësipërme mund të gjesh shpejt një punë. 

Redaksia Online
Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?