5 grabitjet më të bujshme në Tiranë, rreth 15 mln euro në duart e krimit! Nga bankat e nivelit të dytë te blindat në Rinas

26 Shkurt 2022, 16:19| Përditesimi: 26 Shkurt 2022, 16:32

  • Share

Grabitjet e bankave dhe blindave të tyre në vendin tonë jo gjithmonë kanë dështuar, si në rastin e zbuluar disa ditë më parë në bulevardin “Zogu i Parë”. Që prej grabitjes së parë më 29 janar të vitit 1993 rastet janë të shumta, por disa prej tyre janë më të bujshmet, miliona euro janë marrë.

13 shkurt 2015 – 3.2 milionë euro tek ish-Stacioni i Trenit

Dy persona të armatosur dhe të maskuar grabitën një bankë të nivelit të dytë në fund të bulevardit “Zogu i Parë” në 13 shkurt 2015. Ngjarja ndodhi në pjesën e pasme të godinës, pranë ish-Stacionit të Trenit. Autorët i bënë pritë makinës së blinduar që transportonte paratë në pjesën nëntokësore të garazhit dhe morën 3.2 milionë euro.

3 dhjetor 2015 – 3 milionë euro në Laknas

Një automjet i blinduar që transportonte para në drejtim të Rinasit u grabit mesditën e 3 dhjetorit 2015 në afërsi të Laknasit. Nga një fouristradë që i preu rrugën, zbritën disa persona të veshur me pajisje policie, maska dhe armë zjarri. Thyen xhamat e blindit dhe morën rreth 3 milionë euro.

30 qershor 2016 – 995 mijë euro në Rinas

Tre persona të maskuar thyen perimetrinë e sigurisë në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në datën 30 qershor 2016. Të maskuar, brenda një makine dhe nën kërcënimin e armëve arritën të grabisin 995 mijë euro, në momentin që paratë po transportoheshin brenda një avioni. Kjo ishte grabitja e parë në Rinas.

9 shkurt 2017 – 2.7 milionë euro në Qafë Kashar

Persona të armatosur u dolën në pritë dy automjeteve të blinduara në Qafë Kashar në 9 shkurt të 2017-ës. Edhe në këtë rast paratë po transportoheshin për në Rinas. Nën kërcënimin e armës, grabitësit mundën të largoheshin nga aty me një shumë prej 2.7 milionë euro. Gjithçka ndodhi në vetëm 2 minuta e 24 sekonda.

9 prill 2019 – 4.6 milionë euro në Rinas

Grabitja më e bujshme ishte ajo e 9 prillit 2019, brenda pistës së aeroportit të Rinasit. Grabitësit hynë duke thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimi zjarrfikës. Ata shkuan deri tek avioni ku do të kalonin paratë. Nga përplasja me policinë njëri prej tyre, Admir Murataj, mbeti i vrarë, kurse të tjerët u larguan. Grabitësit morën në aeroport 4.6 milionë euro.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?