450-vjetori i lindjes/ Shqipëria
e Budit, “Një parajsë tokësore”

31 Korrik 2016, 08:45| Përditesimi:

  • Share
Me datë 27 korrik 2016, një grup poetësh, gazetarësh, përfaqësuesish të Ministrisë së Kulturës, të bashkisë Klos, si dhe deputeti i zonës, kryen një vizitë në shtëpinë e Pjetër Budit në Gur të Bardhë të Matit. Një ditë pelegrinazhi në kuadër të 450-vjetorit të lindjes së poetit. Është në radhë të parë meritë e Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi” Tiranë dhe posaçërisht e studiuesit të njohur Behar Gjoka që Budi është gjithnjë në qendër të vëmendjes në ditët e sotme, përmes përkujtimesh, botimesh, ndër të tjera dhe i revistës letrare “Pasqyra e të rrëfyemit”.
Nuk është e tepërt të thuash që figura e Pjetër Budit ende nuk është studiaur plotësisht, ai vazhdon të jetë një ajzberg i kulturës matjane e shqiptare. Budi është jo vetëm poeti i parë i letërsisë së vjetër, por dhe një figurë me ndikim të madh në kohën e tij, autor relacionesh drejtuar Selisë së Shenjtë mbi gjendjen në territorin shqiptar, gjatë shekullit XVII etj., me qëllim që të vihej dorë nga Vatikani, për të ndihmuar shqiptarët dhe dioqezat e tyre të rrënuara jo pak nga pushtimi otoman.
Duke sjellë për lexuesin një pjesë nga letra që Budi, i drejtonte kardinalit Gocadino në Vatikan, me 15 shtator 1621, mendojmë se u paraprijmë shkrimeve e dokumenteve të tjera për buqësinë shqiptare, fillimisht me tekstin dhe përshkrimet e një mendimtari të shquar vendas, për çka e kemi quajtur dhe gjeorgjiku i parë shqiptar. Budi shkruan: “Vendi është pjellor dhe ka me sasi të mëdha çdo lloj ushqimi: ajrin a ka shumë të butë, nga më i miri e më i shëndetshmi që mund të gjendet në botë; zakonisht arrihet mosha e 90 dhe 100 vjeçare. Janë vise të brendshme, të mbushura me çdo lloj gjahu, me verëra shumë të mira, me vajra, me grurë shumë të mirë, me kafshë në sasi të medha. Janë vise të mbushura me lumenj e pyje, me liqene, ku ka sasi të medha të çdo lloj peshku. Me një fjalë, përbrenda dhe në të gjitha anët përjashta, është një parajsë tokësore”.
Kemi të drejtën të mendojmë se këto rreshta nuk janë frymëzuar nga qendrimi në Zadrimë i poetit kur ishte atje ipeshkëv, por i shkojnë për shtat skenografisë së Matit, vendlindjes së tij, që siç dihet është Guri i Bardhë. Budi ishte njeri i ditur, që shkruante në latinisht dhe njihte traditën letrare latine, pra dhe poemën mesimtare të Virgjilit, “Gjeorgjikat”, shkruar në vitin 37 - 29 para lindjes së Krishtit, që është ndër të rrallat vepra klasike të perkthyera - aq me tepër me natyrshmeri e pasuri gjuhësore - që e bëjnë te lexohet si të ishte shkruar shqip. Virgjili është i pari poet latin, që në vargje këndoi për bujqësinë. Ai përshkroi qindvjetshat e kaluar, i këndoi rëndësisë së punës së bujkut dhe kujdesit për buqësinë, përfshirë pemetarine e blegtorinë, bletarinë etj. Poema frymëzohet nga jeta konkrete, nga puna në natyrë dhe larg nga rremuja e qyteteve, sikurse shkruante edhe Naim Frashëri ynë: “Mendja, merr fusht e malet, jashte, jashte nga qyteti….”
Ajo çfarë thotë Budi konfirmohet edhe nga shkrimet e shumë studiuesve dhe kronikanëve të huaj, ku trajektorja e udhëtimeve të tyre fillon në Petralbë, dhe kalon dhe në Matin e Budit e më gjerë. Nga këto po përcjellim me shkurtime përshtypjet e vetem dy prej tyre: Evila Çelebi, kronikan dhe gjurmues turk, që udhetoi me misione zyrtare edhe në Shqipëri, në 10 vëllimet e botuara, përshkruan, sadopak, bujqësinë shqiptare gjatë periudhës së viteve 1660-1670. Ndër shkrimet e tij, spikatin: qytetet qe ai vizitoi (Delvinë, Gjirokastër, kështjella e Skraparit, e Zhitomit, e Dobrunës në Permet, Berat, Vlore, Bashtove, Kavajë, Peqin, Elbasan, Strugë, Ohër, Pogradec, Prishtinë, Tiranë, Shkodër etj.), që ishin të mbushur me kopshte dhe vreshta, saqë shpesh nuk dalloheshin keto qytete nga lart, sepse mbuloheshin nga gjelberimi. Çelebi shkruan se Elbasani kishte 20.000 dynymë me vreshta dhe kopshte, Shkupi, që fliste shqip, kishte 70.000 dynym me vreshta, Shkodra 23.000 dynyme vreshta dhe, krahas shtresës së pupullsisë fshatare, lundërtare, tregtare, artizane, intelektuale atj., ishte edhe shtresa e pupullsisë vreshtare. Në rregjistrin e Ohërit ishin të shënuar edhe 9 lloje ftonjsh, 24 lloje mollësh, 24 lloje dardhësh. Pogradeci shquhej për dardhat, Prishtina për rrushin e dardhat etj. Përmenden panairet në Elbasan, Strugë, Peshkëpi të Gjirokastrës etj. Në ushqimin e pupullsise, vera e rehania dhe përpunime të tjera të rrushit, përdoreshin gjerësisht. Në Gjirokastër përdorej rrushi “Moskat”, në Lunxhëri kishte vreshta të bukura.
Eshte interesant se këtu gjejmë elemente të bujqësisë qytetare, apo urbane ku përshihet dhe bujqësia dhe pronat e kulteve. Këtë e hasim dhe në librin e O. Schmitt “Shqiperia venetikase”. Ky element dhe kjo traditë në srukturën e bujqsisë shqiptare pothuajse mungon sot. Udhëtari pershkruan qytetet dhe rrethinat, prandaj nuk dalin edhe më shumë vlerat buqësore të krahinave që vizitoi. Pamjet e përshkuara prej tij janë thujse të njëkohshme me ato të Budit, që në kuadrin e një letre drejtuar Vatikanit janë të përmbledhura dhe jo të imëta si në rastin e kronikanit turk.
I dyti autor i huaj është Johanes Hahn (1811-1869), albanolog, konsull austriak, në serinë e botimeve për Shqipërinë, jep njoftime të vlefshme për zhvillimin e bujqësisë, në librin me tre vellime “Albaneische studien”, Vienë, 1854. Eshte interesante ndalesa në zonën e Matit, që ai e quan Pazari i Bejanit (ndoshta ky territor i perkiste Bejnit), të cilin ai e konsideronte jo thjeshtë si Pazar, por si bursë ku kuotoheshin prodhimet e zonës qe do të vlenin për pazarin e Derjanit, Lisit dhe Milotit. I ka bërë përshtypje dhe pjesëmarrja e grave në Pazar, ka vizituar dhe Cerujën (Zeruja). Në largimin nga Mati ai përshkruan fushën e Shtojit (Mat), tashmë e përmbytur që indentifikohet midis Bushkashit dhe Ndrelalajve. Etimologjia e fjales Shtoj spjegohet me urimin: “Zoti ta shtoftë”, shpjegim që e kemi ndeshur dhe në rastin e Shtoit, Shkodër. Përmendet si një fushë tejet pjellore, duke përdorur dhe fjalën e Pjetër Budit (e patransliteruar), frujtoshime.
Ndoshta është e nevojshme të ndalemi edhe tek fjala Gjeorgjike, që është latinizim i greqishtes Gjeo-tokë, rruzull, për herë të parë ndeshet në veprën e Virgjilit: Bukoliket (poema pastorale) dhe Gjeorgjiket (poema e bujqësisë). Ka shumë të ngjarë që Budi të ketë patur mundësinë e njohjes me veprën e Virgjilit. Siç dihet, meë vone do të kishim poemen e Naimit “Bageti e Bujqesi”. Studiuesi Behar Gjoka ka bërë dhe një studim krahasues lidhur me metriken e poetike të Budit, tetë rrokshe me atë dyfishe te Naimi, i cili nuk mund të mendohet ta ketë njohur veprën e Budit. Por ajo që ka rëndësi është se vargjet e Naimit të kethejnë në skenografinë e dikurshme bujqësorë të Budit: O fushëzat pjellore që më ushqeni Shqipërinë, do të këndonjë bukurinë tuaj edhe bujqesinë.
Budi, në qendrimin në Sapë dhe Zadrimë ka punuar në një mjedis të veçantë diturak, bashkëkohës i Frang Bardhit, që ka botuar fjalorin e parë shqip, ai ka përmendur kultivimin për herë të parë të misrit në Zadrimë, ku po nga nga kjo trevë shekuj më pas Mjeda do të botonte fjalorin botanik, krahas atij të Gazullit, që do ta shihte dritën e botimit në vitin 1940. Të gjitha këto na japin të drejtën të ravijëzojmë dhe anën “gjeorgjike” të kësaj figure poliedrike, i prirur drejt etnobotanikës si etnokulturë. Bashkohës i ideuesit dhe organizatorit të Kuvendit te Dukagjinit, të vitit 1602, Imzot Nikollë Mekajshit, plotësohet shumë më tepër figura dhe veprimtaria e tij patriotike, kulturore dhe kishtare. Kemi arsye të mendojmë se ishte Budi që e ideoi vendin ku do të mbahej ky kuvend.
Së fundi, është detyra e studiuesve të rinj që tashmë edhe me dixhitalizimin e bibliotekës së Vatikanit ta hulumtojnë këtë figurë, që të mos vdaren këto vlera të papërsëritshme, mbasi nuk do të vijë përsëri Nicolae Jorga të zbulojë “Formulën e Pagëzimit”. Përmasat e kësaj figure dalin përtej analizës së derisotme të veprave të tij të njohura, në katër librat e tij, siç e dëshmon dhe kjo trajtesë modeste, përgatitur në kuadrin e 450-vjetorit të shkrimtarit.
 
 Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?