'Tahiri', shtrëngohen rregullat
për arrestimin deputetëve

17 Janar 2018, 20:35| Përditesimi:

  • Share
Pas debatit për rastin ‘Tahiri’, Partia Socialiste kërkon që të qartësojë rregullat, kushtet dhe procedurat për arrestimin e deputetëve, duke vënë si kusht paraqitjen e provave bindëse nga ana e prokurorisë. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar një projektvendim në Kuvend, për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e deputetëve apo ministrave, me kërkesë të Prokurorisë.

Sipas propozimit, deputeti apo ministri nuk mund të arrestohet më në bazë indicesh apo dyshimesh të arsyeshme, por organi i akuzës duhet të paraqesë prova bindëse, në të kundërtën kërkesa për arrestim rrëzohet. Kërkesa për ndryshimin e rregullave vjen pas polemikave për rastin e Saimir Tahirit, por edhe pak para ngritjes së organeve të reja anti-korrupsion, konkretisht të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale, ku së bashku përbëjnë atë që quhet SPAK.

Varianti i PS
Në variantin e propozuar nga Partia Socialiste, shtohen disa elemente të reja, por shumë të rëndësishme, për arrestimin deputetëve. Konkretisht, në pikën 1 të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, është saktësuar se, kërkesa e prokurorisë përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën. Në rregulloren në fuqi, nuk përmendeshin prova, por vetëm materiale shoqëruese. Deri më tani Prokuroria ka kërkuar arrestimin e deputetëve bazuar në indicie dhe dyshime të arsyeshme. Kjo ka sjellë edhe përplasje të forta mes palëve politike.

Seanca me dyer të mbyllura, votim i fshehtë
Një tjetër ndryshim ka të bëjë me zhvillimin e seancës. Në nismën e depozituar në Kuvend, nenit 118, i është shtuar një pikë e cila parashikon që Kuvendi, në seance plenare, për arsye të mbrojtjes së të dhënave, mund të zhvillojë diskutimin me dyer të mbyllura. Në rregulloren në fuqi të Kuvendit nuk parashikohet mundësia që seanca të zhvillohet më dyer të mbyllura. Projektvendimi parashikon edhe ndryshimin e mënyrës së rregullore.

Sipas nismës së re, Kuvendi vendos me votim të hapur për miratimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënie autorizirni për procedim. Në rregulloren në fuqi të Kuvendit, në paragrafin e fundit të pikës 4, të nenit 118, parashikohet që Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

Shkurtohet koha
Projektvendimit parashikon shkurtimin e kohës në dispozicion të Këshillit për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin për hartimin e raportit, me anë të të cilit rekomandon dhënien apo jo të pëlqimit për arrestimin e deputetit. Projektvendimi parashikon që Këshilli brenda një jave, harton raportin për në seancë plenare. Ndërsa, Rregullorja e Kuvendit në fuqi parashikon që në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare.

d.b/shqiptraja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?