'Europol', PD: Pa dalë Tahiri para
drejtësisë s’ka negociata me BE

9 Dhjetor 2017, 12:56| Përditesimi:

  • Share
Në një komunikim me mediat, deputeti i PD Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se raporti i Europol mbi drogën, i publikuar një ditë më parë, konfirmoi denoncimet e opozitës sa i takon narkotikëve.

Duke cituar të dhënat e raportit, Alibeaj ka theksuar se nuk është opozita ajo që po i nxin faqen vendit, por qeveria e Edi Ramës që ka lejuar dhe ka përfituar nga trafiku i kanabisit drejt Europës.

“Shqipëria është burim kryesor i drogës, sepse ky ishte dhe vazhdon të jetë prioriteti i kryeministrit! Shqipëria në 4 vitet e Edi Ramës u bë burim i pastrimit të parave nga tepsia e madhe e parave të drogës, pjesën më të madhe të së cilës e zotëron Edi Rama. Dhe këto para duhen larë e pastruar për të financuar blerje të reja politikanësh e votuesish”, ka thënë Alibeaj.

Ai ka nënvizuar se janë pikërisht droga dhe krimi që Shqipëria eksporton në Bashkimin Europian arsyeja kryesore pse vendit tonë i mohohet prej tre vjetësh hapja e negociatave.

“Vendet e Bashkimit Europian po kërkojnë përditë luftë kundër drogës dhe krimit të organizuar dhe nxjerrjen para drejtësisë të të paprekshmëve. Ata po e thonë fare qartë se nuk do t’i hapin negociatat nëse Shqipëria nuk shkatërron organizatat kriminale të trafikut dhe nese nuk nxirren para drejtësisë politikanët që e lejuan dhe bashkëpunuan me krimin”, ka vijuar Alibeaj.

Deputeti demokrat ka shtuar se, “rruga e Shqipërisë për në BE kalon vetëm nga nxjerrja para drejtësisë e Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Agron Xhafës, Habilajve dhe Balilajve”. 
 

Fjala e plotë e Alibeajt
Më 6 Dhjetor, ditën kur Edi Rama fajësoi opozitën se po i nxinte faqen vendit me akuzat për drogën, EUROPOL konfirmoi se Shqipëria vazhdon të mbetet burimi kryesor i trafikut të kanabisit në Bashkimin Europian.

EUROPOL eshte agjensia ligjzbatuese që mbështet 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian për luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.  Raporti i tij thotë se:

1.     Tregu i drogës në Bashkimin Europian është 24 miliardë euro,

2.     Se kanabisi përbën pjesën më të madhe të tregut që kontrollohet nga organizitatat kriminale,

3.     Se Shqipëria është burim kryesor i trafikut të kanabisit dhe

4.     Dhe se pastrimi i parave nga tregtia e drogës është rritur.

Raporti i EUROPOL rikonfirmon se nuk është opozita ajo që po i nxin faqen vendit, por është qeveria e Edi Ramës që ka lejuar dhe ka përfituar nga trafiku i kanabisit drejt Europës.

Shqipëria mund dhe duhej të kishte qenë vendi kryesor mikpritës i biznesit për shkak të taksave të ulëta, lehtësive ligjore, luftës kundër korrupsionit dhe sigurise juridike! Por jo! Shqipëria është burim kryesor i drogës, sepse ky ishte dhe vazhdon të jetë prioriteti i kryeministrit!

Shqipëria mund dhe duhej të kishte qenë një nga vendet e Ballkanit jo vetëm anëtar i NATO-s, por edhe një vend që negocionte për anëtarësim në Bashkimin Europian! Por jo! Shqipëria është burim kryesor i drogës, sepse ky ishte dhe vazhdon të jetë prioriteti i kryeministrit!

Shqipëria në 4 vjet të Edi Ramës u bë burim i pastrimit të parave nga tepsia e madhe e parave të drogës, pjesën më të madhe të së cilës e zotëron Edi Rama. Dhe këto para duhen larë e pastruar për të financuar blerje të reja politikanësh e votuesish. Droga dhe krimi që Shqipëria eksporton në Bashkimin Europian janë arsyeja kryesore që Shqipërisë i mohohet prej tre vjetësh hapja e negociatave.

Vendet e Bashkimit Europian po kërkojnë përditë luftë kundër drogës dhe krimit të organizuar dhe nxerrjen para drejtësisë të të paprekshmëve. Ato po e thonë fare qartë se nuk do t’i hapin negociatat, nëse në Shqipëri nuk shkatërron organizatat kriminale të trafikut dhe nese nuk nxirren para drejtësisë politikanët që e lejuan dhe bashkëpunuan me krimin.

Rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian kalon vetëm nga nxjerrja para drejtësisë e Saimir Tahirit, Vagjush Dakos, Qazim Sejdinit, Agron Xhafës, Habilajve dhe Balilajve me shokë.​


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?