'Drejt Punës'/ Kume: Me zanatin në
Greqi mbaj sot familjen në Shqipëri

18 Shkurt 2016, 10:05| Përditesimi:

  • Share
TIRANË - Gazmend Kume, me origjinë nga Gramshi si shumë shqiptarë që kanë lëvizur në emigracion për një jetë më të mire, ka vendosur të kthehet nw atdhe pas 20 vitesh në Greqi. Ka hapur një biznes të tijin në kryeqytet. Së bashku me bashkëshorten arriti të siguronte të ardhura për familjen, si dhe të punësonte dhe tre persona të tjerë në fast food “Merakliu”. Duke treguar eksperiencën e tij, Gazmendi u bën dhe një thirrje të rinjve shqiptarë “dua ti them që të jenë më punëtorë dhe mos të shikojnë vetëm kalemin se nuk do të bëhen të gjithë zyrtarë por të shikojnë nevojat e tregut se ku mund të punësohen më lehtë”. Tashmë Gazmend Kume ka nisur ti mësojë zanatin fëmijëve të tij, por dhe të kërkojë zgjerimin e aktivitetit.
 
Gazmend, pse vendosët që të ktheheshit në Shqipëri?
Unë kam ikur që i vogël në emigrim, dhe kur ika sigurisht që nuk e pata të lehtë jetesën atje. Fillimet gjithmonë janë të vështira. Ndoshta më parë gjithçka u bë më mirë jetesa puna gjithçka por në fund të fundit unë jam shqiptar dhe dëshira e çdo shqiptari besoj është që të jetojë në Shqipëri. Atje u martova atje u bëra me dy fëmijë, por nuk doja që fëmijët e mi të ishin emigrant si unë gjithë jetën.

Nga puna që kamë bërë gjatë gjithë viteve të mia në emigrim mora një zanat, pasi profesion nuk kisha sepse sistemi që ishte në atë kohë në Shqipëri të linte shumë pak mundësi. Atje kamë punuar në një ndër fastfood-et më të mëdhenj të Athinës. Kam punuar shumë vite në një punë dhe kjo më favorizoi për ta marrë zanatin mirë. Pasi me kursimet e mia ndërtova shtëpinë në Tiranë dhe vura disa para mënjanë, thashw të kthehesha dhe me atë çfarë dija ta ushtroja këtu në Shqipëri. Normalisht ndihem më mirë këtu në vendin tim.
 
Ju tani keni hapur një biznes në Tiranë, sa e vështirë ishte për ju që t’ia dilnit?
Po këtë mars që vjen mbush vitin e tretë që unë së bashku me gruan kemi hapur një fastfood këtu në tiranë. Ka qenw e vwshtirw, sigurisht, si çdo fillim pasi nuk na njihte njeri nuk e dinin se si gatuaja. Dhe normalisht kur klientët ishin mësuar diku tjetër nuk e kanë luksin që të eksperimentojnë. Në muajt e parë e kam nisur vetëm me gruan dhe fitime nuk kishim fare madje kemi shpenzuar për ta mbajtur biznesin “gjallë” pasi e shikoja që klientët që vinin një herë ngeleshin të kënaqur dhe ktheheshin sërish.

Pastaj me kohën klientela u shtua më shumë dhe tani jemi mjaft të kënaqur. Arrijmë që të fitojmë mjaftueshëm për familjen tonë. Madje meqë puna është shtuar kam marrë edhe të afërmit e mi që kishin nevojë për punë dhe kam punësuar 4 persona. Ndërsa tani jam duke parë për një ambient tjetër për ta marrë me qira dhe të zgjeroj biznesin pasi me duket me leverdi.
 
Si fillon dita për ju dhe bashkëshorten tuaj?
Po e fillojmë ditën rreth orës 6 të mëngjesit, gruaja së bashku me një nga punëtorët shkojnë hapin fastfoodin- për të bërë gati gjithccka duhet dhe për të shërbyer për klientët, të cilët vijnë për të pirë kafe ndërsa unë shkoj dhe bëj furnizimet. Pastaj vij tek dyqani ndërkohë që Alma, gruaja ime, ka vënë mishin të piqet dhe ka bërë gati zarzavatet.

Pastaj rreth orës 11 fillojnë edhe klientët e pare, të cilët janë kryesisht studentë, të cilët janë pranë zonës. Dhe që nga ora 11 deri në orën 23 nga një anë për fat të mirë sepse ka punë por ka një lodhje shumë të madhe, nuk pushojmë asnjë gjysmë ore. Unë mundohem që tua plotësoj sa më mirë dëshirat klientëve.
 
Sa orë punoni ju?
Punoj shumë rreth 14 orë. Duken shumë dhe në fakt janë shumë por nuk është se kam zgjidhje tjetër pasi klientët duan shërbim cilësor dhe nuk mund të zë dot besim te çdokush.
Kamë shumë kohë që kam nxjerrë lajmërimin për punëtor fastfoodi, por mesa duket të rinjtë nuk preferojnë zanatet, të cilët janë praktikë dhe të ofrojnë mundësi pune por janë më të fokusuar vetëm te universitetet. Por nga sa kam dëgjuar edhe në lajme, nuk është se ka shumë hapësira pune nëse nuk ke një zanat. Do tw doja t’ju bëja thirrje të rinjve që të mos orientohen vetëm në një drejtim ose vetem për një diplomë të gjithë por të hapin sytë dhe të bëjnë atë që vendi ka nevojë.
 
Gazmend ju sa i paguani punëtorët? A është kjo ndoshta një arsye se pse te rinjtë zgjedhin shkollën e lartë, pra paga më e mirë?
Nuk di të them për këtë. Ndoshta mund të jetë edhe ajo që kërkojnë rroga më të mira, por në fakt një rrogë pak më e ulët është më e mirë se sa pa rrogë fare. Unë punonjësit të mirë i jap normalisht sa japin bizneset të ngjashëm me mua, por normalisht të gjithë e shohim që gjërat janë duke u përmirësuar kështu edhe rrogat këtu do të përmirësohen.
 
A siguroni punëtorët, pra i keni me kontratë?
Po sigurisht, të gjithë që jemi këtu jemi të siguruar edhe me kontratë.

A jeni i kënaqur me favoret dhe me taksat që shteti ju ka vendosur?
Po e mira s’ka fund. Jam deri diku i kënaqur, përderisa na del fitimi normalisht që jam i kënaqur, por nëse i bëj një krahasim me kohën kur isha në Greqi, nëse pronari ku unë punoja kishte të njëjtën xhiro domethënë klientelë, fitimet e tij ishin goxha më të mëdha se sa ato që kam un sot. Këtu çmimet e mishit, zarzavateve, domethënë të gjithë ingredientëve kanë shumë luhatje domethënë janë të shtrenjta, energjia pak e lartë, por gjithësesi mirë dhe nëse vazhdon me këto ritme shpresojmë të bëhet më mirë.  
 
A jeni penduar që jeni kthyer në Shqipëri?
Joooo, deri tani nuk jam penduar. Këtu kam punën time jam në vendin tim kam të afërmit e mi dhe ndoshta nuk shikohet si shumë e rëndësishme por këtu punoj për vendin tim.
 
A keni ju një mesazh për të rinjtë shqiptarë?
Po kam diçka. Unë vetë jam 45 vjeç, kamë jetuar 20 vjet në Greqi dhe tani prej tre vitesh jetoj në Shqipëri. Dua t’i them të gjithë të rinjve që mos të shohin si zgjidhje të jetës së tyre largimin nga Shqipëria, por të mundohen dhe të bëjnë diçka këtu në vendin ku ata jetojnë se ndoshta do tu duket e vështirë në fillim por më vonë gjithçka do të jetë më e lehtë dhe më në favor të tyre. Po ashtu dua t’u them që të jenë më punëtorë dhe mos të shikojnë vetëm kalemin se nuk do të bëhen të gjithë zyrtarë por të shikojnë nevojat e tregut se ku mund të punësohen më lehtë.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?