Foto ilustruese

37 pushtetarë kallëzohen penalisht për fshehje pasurie dhe pastrim parash, u kontrolluan nga ILDKPKI 806 zyrtarë

28 Prill 2023, 16:10| Përditesimi: 28 Prill 2023, 17:03

  • Share

Në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranë kanë kallëzuar penalisht 37 zyrtarë të niveleve të ndryshme gjatë vitit 2022, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe mashtrim me deklarimin e pasurisë. Referimet penale janë bërë nga Inspektorati i Lartë i për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive. Gjatë vitit 2022, ILDKPKI ka kaluar në kontroll për ligjshmërinë e pasurive 806 zyrtarë publikë, ku në përfundime ka gjobitur 128 subjekte deklaruese për shkelje në deklarim, ndërsa ka kallëzuar penalisht 37 të tjerë, për shkelje me pasoja penale. Të dhënat reflektohen në raportin e veprimtarisë së ILDKPKI për vitin 2022.

Ndërkaq, nga viti 2014 deri në vitin 2022, janë kallëzuar penalisht 555 pushtetarë dhe ish pushtetarë për fshehje pasurie, pastrim parash, falsifikime në lidhje me pasurinë etj. Në listën e të kallëzuarve janë deputetë, kryebashkiakë, drejtorë të përgjithshëm, gjyqtarë, prokurorë, ambasadorë etj. Shqiptarja.com mëson se mbi 95 % të dosjeve janë mbyllur në heshtje nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Mes dosjeve të mbyllura përfshihen ish ministra të lakuar për afera madhore korruptive, ish drejtorë me pasuri të dyshimtë si dhe ish gjyqtarë me pasuri me vlerë miliona euro.

Për mbylljen e dosjeve, kohë më parë, ka pasur përplasje mes ILDKPKI-së dhe Prokurorisë, ku dy institucionet akuzonin njëri-tjetrin. Ndërkaq, në vitin 2015 është mundësuar edhe mbulimi i zyrtarëve që kallëzoheshin për fshehje pasurie dhe pastrim parash. Për fshehjen e emrave besohet se janë angazhuar qarqe të politikës, korrupsionit dhe drejtësisë. Qëllimi ishte që emrat e kallëzuar të mos lakoheshin në media, pasi mbyllja e çështjes bëhej më e vështirë për shkak të presionit të opinionit publik dhe interesit për transparencë.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?