350 infermierë punësohen në Gjermani
Klosi: "Profesionali" zgjedhja e duhu

24 Shkurt 2016, 11:57| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - 350 infermierë të parë kanë fituar sot të drejtën për t’u punësuar në Gjermani. Kompania DEKRA ka mundur të përfundojë kurset e trajnimit profesional dhe të gjuhës gjermane për rreth 680 infermierë, 350 nga të cilët kanë mundur ta marrin dëshminë dhe kontratën e punës gjatë ditës së sotme. Në ceremoninë e certifikimit të tyre ishin të pranishëm përfaqësues të kompanisë DEKRA, ambasadori gjerman, Helmut Hoffman, infermierët që ndoqën kursin, si dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi.

Në fjalën e tij gjatë këtij aktiviteti, ministri Klosi theksoi se ky është një moment që dëshmon edhe një herë më së miri se arsimi dhe formimi profesional mbetet një alternativë e duhur për të konkurruar jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe atë europian të punës.

“Ndjehem mirë në këtë sallë, pasi sot dëshmojmë se edukimi ynë ka vlerë, shkollat tona, që me gjithë problematikat e tranzicionit, prodhojnë kualifikime të vlefshme. Prandaj sot dëshmojmë se kemi një vlerë, të cilën duhet ta promovojmë vetë, ndaj dhe duhet të jemi shumë më aktivë në këtë drejtim.  Jam i gëzuar pasi keni dëshmuar se edukimi profesional është një mekanizëm që realisht mund t’u rregullojë jetën shqiptarëve”, - tha ministri Klosi në fjalën e tij.

Ndaj ai theksoi se çdo i ri shqiptar duhet ta shohë arsimin dhe formimin profesional si një çelës për të hapur rrugët e jetës nëpërmjet një pune të denjë. Për këtë arsye, ai i bëri thirrje çdo të riu që ende nuk e ka vendosur se çfarë rruge do të ndjekë në jetë, të afrohet pranë shkollave dhe qendrave të formimit profesional, pasi ajo mund t’i krijojë mundësi më të mëdha për punësim.

“Ne kemi kaq shumë kohë që flasim për arsimin profesional, por unë them se sot me prezencën tuaj këtu, ju keni dhënë një mekanizëm shumë të fortë; arsimi profesional ishte çelësi, edukimi profesional ju bëri ju dhe ju dha një dëshmi. Ne kemi shumë probleme me arsimin profesional, kemi shumë probleme me mënyrën sesi shqiptarët e perceptojnë atë. Por ju sot keni dëshmuar se nëse ke një zanat, një diplomë, mund të jesh i aftë të bësh një punë të denjë, jo vetëm në tregun shqiptar të punës, por edhe atë europian të punës”, - tha Klosi.

Sipas tij, tashmë në shkollat tona profesionale mund të shkojnë njerëz që kanë disa mundësi më shumë, duke marrë një profesion, duke pasur mundësi të jenë të denjë në shoqëri, të vazhdojnë më pas universitetin dhe të jenë të gatshëm për tregun shqiptar dhe europian të punës.

Më tej ministri Klosi evidentoi faktin se pikërisht për t’i dhënë rëndësinë e duhur arsimit profesional, së bashku me partnerët ndërkombëtarë do shënohet një reformë e gjerë në shkollat dhe qendrat tona të formimit profesional, duke i kthyer një pjesë të mirë të tyre në shkolla ekselence, të cilat ofrojnë arsimim dhe formim sipas standardeve europiane.

Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?